Në Komisariatin e Policisë Rrugore të Tiranë vendoset busti i Dëshmorit të Atdheut, Allaman Dervishi

26 maj 2024 | 11:57

Në Komisariatin e Policisë Rrugore të Tiranë është përuruar busti në nderim të Dëshmorit të Atdheut, efektivit Allaman Dervishi.

Efektivi i policisë rrugore Allaman Dervishi humbi jetën në krye të detyrës në 24 maj të viti 2004.

Sot pas 20 vitesh në shenjë nderimi dhe vlerësimi është vendosur busti i Allaman Dervishit në komisariatin e policisë rrugore të Tiranës.

Të pranishëm në ceremoni ishin familjarë të Dëshmorit të Atdheut, drejtues të policisë rrugore dhe efektivë, të cilët përkujtuan dhe vlerësuan figurën e kolegut të tyre.

Allaman Dervishi u lind më 20 shtator 1969, në Kryezi të Pukës. Ai ishte i martuar dhe ka një djalë.

Dervishi ka filluar punë në strukturat e Policisë së Shtetit në vitin 1997, në kohën kur rendi e siguria në Shqipëri ishin të tronditura. Fillimisht në Komisariatin e Policisë Pukë, për të vazhduar më tej në Durrës e Tiranë.

Në shtator të vitit 2003 është emëruar kontrollor linje në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë, ku shërbeu deri në ditën e rënies në krye të detyrës. Gjatë gjithë kohës është shquar për devotshmëri, profesionalizëm e korrektësi në përmbushjen e detyrës dhe në marrëdhëniet me kolegët e qytetarët, të cilëve u shërbeu me përkushtim.

Më datë 24 maj 2004, duke qenë në shërbim së bashku me kolegun e tij Resmi Hasanpapaj, në hyrje të qytetit të Tiranës, vritet në krye të detyrës gjatë kohës që po tentonin të ndalonin një mjet të dyshuar, ndërkohë kolegu i tij mbeti i plagosur rëndë.

E në nderim të veprës së vëllait të tij, dëshmorit Allaman Dervishi, ka shkruar Bilbil Dervishi, tani këshilltar i ministrit Taulant Balla.

Dervishi ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuuar dhe ndihmuar në ngritjen e bustit të vëllait.

“Një falenderim nga familja jonë edhe për shefin e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë kryekomisar Besmir Qibini, stafin e tij dhe gjithë punonjësit e këtij Komisariati, të cilët me angazhimin e tyre maksimal ndihmuan në ngritjen e bustit, organizimin e ceremonisë dhe mikpritjen e mysafirëve në ditën e aktivitetit!”, ka shkruar Dervishi ndër tjera.

Postimi i plotë i Bilbil Dervishit:

Në vijim të veprimtarive përkujtimore që po zhvillohen në mbarë vendin në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të 80 vjetorit të Çlrimit”, të premten me rastin e 20 vjetorit të rënies në krye të detyrës të vëllait tim, Allaman Dervishi, dëshmor i atdheut dhe ish punonjës i Policisë së Shtetit, në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë, ku ai ishte punonjës u organizua një ceremoni përkujtimore.

Me këtë rast u përurua edhe busti i vendosur në oborrin e këtij Komisariati në nderim të tij.

Busti është vepër e artistit pukjanë Ardian Pepa, i cili me veprën tij Allamanin na e ka kthyer. Ai tani është i jetësuar në pavdekësi pranë nesh, por veçanërisht pranë punonjësve të Policisë Rrugore, të cilët duket sigur i vëzhgon dhe i këshillon se si duhet të përmbushin më mirë misionin e tyre fisnik pa rrezikuar jetën e tyre, kur ata nisen për në detyrë.

Ndërtimi i bustit u bë i mundur falë kontributit të shoqatës Shqiptaro Amerikane të Zbatimit të Ligjit me president zotin Elton Shametaj dhe disa miqve të familjes tonë, të cilët i falenderoj pa masë për gjestin e tyre fisnik në nderimin dhe lartësimin e dëshmorëve të atdheut dhe u jemi shumë mirënjohës për këtë!

Një falenderim nga familja jonë edhe për shefin e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë kryekomisar Besmir Qibini, stafin e tij dhe gjithë punonjësit e këtij Komisariati, të cilët me angazhimin e tyre maksimal ndihmuan në ngritjen e bustit, organizimin e ceremonisë dhe mikpritjen e mysafirëve në ditën e aktivitetit!

Sigurisht që kontribut në organizimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit kanë edhe ministria e Brendshme, drejtoria e Përgjithëshme e Policisë së Shtetit dhe drejtoria e Policisë Tiranë, përfaqësues të lartë të të cilave morën pjesë dhe përshendetën aktivitetin.

Faleminderit edhe të gjithë pjesënarrësve në ceremoninë e rastit dhe ndjesë për pamundësinë time për t’i takuar e falenderuar të gjithë!

Duke ju premtuar se do të jem i angazhuar maksimalisht dhe ashtu siç kam bërë për vëllain tim do të bëjmë për vlerësimin dhe nderimi e gjithë punonjësve të policisë të rënë në krye ose për shkak të detyrës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar pamjet nga pallati…