Në Kosovë lindi ringritja shqiptare (16)

26 korrik 2020 | 13:40

Shkruan: Kudusi Lama

Megjithatë, është e ditur se Serbia në tërë jetën e saj si komb dhe si shtet vazhdimisht ka arritur që të sigurojë mbështetje nga shumë shtete të mëdha të Evropës. Kjo ka ardhur si rezultat e lidhjes së qëndrimeve politike me interesat ekonomike. Këto interesa kanë krijuar një klimë proserbe në praktikën e politikës evropiane, që ta krijojë idenë e hidhur të një miqësie midis tyre, e cila shkon deri në verbëri totale të kësaj politike ndaj veprimeve serbe kundër popullit të Kosovës.
Janë dy çaste që tregojnë qartë se prej fillimit politika ndërkombëtare i beson shumë Serbisë, prandaj edhe heziton të marrë një qëndrim të drejtë ndaj luftës së Kosovës.
Së pari, fakti që Serbia me zjarr dhe me hekur u sul mbi Kosovën, duke vrarë dhe djegur shqiptarët, pa dallim moshe a seksi dhe askush nuk mori përgjegjësi t’i thotë “ndal”, tregon më së miri se sa e paqartë ishte kjo politikë rreth ngjarjeve në Kosovë.
Së dyti, fakti se që në çastet e para, pa asnjë të drejtë logjike e gjuhësore, pothuajse të gjithë i emërtuan luftëtarët e UÇK-së si terroristë dhe veprimtarinë luftarake të tyre si terrorizëm, nuk ishte gjë tjetër veçse firmosje e lejes për Serbinë që ta shuante Kosovën.
Masakrat serbe në Kosovë, nën moton e luftës për çrrënjosjen e terrorizmit dhe separatizmit shqiptar, duket se u inspiruan pikërisht nga këto qëndrime tolerante dhe në njëfarë mënyre përkrahëse nga ana e faktorit politik ndërkombëtar.
Meritat e Kosovës me luftën e bërë nga Ushtria Çlirimtare, në të cilën milituan djemtë dhe vajzat më të mirë të truallit, janë me vlera të jashtëzakonshme për ardhmërinë kombëtare.
Tentativat destabilizuese në trojet shqiptare në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX morën një përgjigje përfundimtare nga Kosova, e cila i tha jo destabilizimit shqiptar, i tha jo robërisë dhe i tha jo shtypjes e asimilimit.
Me asnjë lloj morali, Serbia nuk ishte larguar nga Kosova, ndërsa përballë forcës së armëve shqiptare u detyrua të bëjë hapa prapa saqë doli jashtë kufijve të Kosovës. Pikërisht kjo forcë shqiptare solli në Kosovë gjithë fuqinë politike dhe ushtarake botërore.
Në Kosovë lindi ringritja shqiptare. Prej atje lëshohen mesazhe për Republikën e Shqipërisë, për t’i marrë më mirë në dorë frenat e shtetit amë, për të marrë përsipër misione të mëdha në interes të kombit, njëkohësisht për t’u bërë pasqyra e trojeve shqiptare për zhvillim e ardhmëri.
Pra, është Lufta Çlirimtare e Kosovës dhe ndikimi i saj jo vetëm mbi armiken e saj shekullore, Serbinë, por edhe mbi politikën dhe diplomacinë ndërkombëtare që bëri të ndryshojnë pozicionet.
Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ka meritë të madhe sepse që në hapat e parë, luftën në Kosovë nuk e bëri një luftë të mbyllur, por një luftë të hapur për të gjithë shqiptarët, pa dallim pikëpamjesh, ndarjesh, krahinash a feje. Që në hapat e parë, kjo ushtri mori përsipër dy obligime të mëdha: së pari, ta godiste fort armikun dhe ta detyronte të kthehej në vendin e tij; së dyti, ta ndërgjegjësonte popullin se pa luftë të armatosur nuk mund të kishte çlirim nga Serbia dhe se pa pjesëmarrjen masive të djemve dhe të vajzave të Kosovës në këtë luftë, nuk mund të kishte ardhmëri për Luftën Çlirimtare dhe për Kosovën e lirë.
Beteja sublime e Jasharëve ishte preludi i ditëve të ardhshme të Kosovës heroike për lirinë e saj. Adem Jashari me luftën e tij dhe të familjes së tij bëri epokë. Epopeja e kësaj lufte ka mbetur në piedestalin e Kosovës, si një faqe e lavdishme e të ardhmes. Këtu te ky prag i Jasharëve fillon e ardhmja kombëtare shqiptare. Në këtë betejë titanësh, çdo gjë ishte llogaritur shumë mirë. Rënia e gjithë pjesëtarëve të familjes së Shaban Jasharit në altarin e lirisë nuk ishte një rastësi, as një pakujdesi, por ishte një vetëdije e plotë e kombit. Në këtë betejë, në këtë familje zëmadhe, u shpalos më i plotë se asnjëherë arsenali i dashurisë për atdheun dhe i sakrificës sublime për lirinë. Adem Jashari i kishte të gjitha mundësitë që t’i shpëtonte pjesëtarët e familjes së tij, i kishte të gjitha mundësitë që edhe vetë të shmangej nga kjo mënyrë ndeshjeje me ushtrinë dhe policinë masive serbe. Por, ai e kishte parashikuar mirë perspektivën e Kosovës. Ai e donte aq shumë Kosovën e lirë sa me gjakftohtësi kishte vendosur ta shikonte jo si qytetar, por nga piedestali i krenarisë kombëtare dhe, jo vetëm, por me të gjithë anëtarët e familjes së tij, pa dallim moshe a gjinie.
Ky vendim i Adem Jasharit kishte një vlerë të madhe për ardhmërinë e Kosovës. Ai e kishte kuptuar mirë se për Kosovën duhej një betejë prelud. Duhej një pushkë që të kërciste fort, që të dëgjohej në të gjitha anët. Duhej një sakrificë e madhe që të ngjethte ata që e quanin veten njerëz.
Fat i keq për atë shqiptarë që nuk e kanë dëgjuar këtë thirrje të madhe të Adem Jasharit.
Lufta tregoi se populli i Kosovës e kishte kuptuar mirë Adem Jasharin. E kishte marrë mesazhin e tij dhe i dha mijëra djem e vajza ushtrisë së tij. I dha mbështetjen dhe uratën për ditët e bardha të së ardhmes.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës mori të tilla përgjegjësi, që në tavolinat e mëdha të politikës dhe të diplomacisë së madhe evropiane e botërore do të ishte diskutuar gjatë dhe nuk do të ishte arritur të vendosej për t’i marrë ato përgjegjësi, që mori ajo ushtri e shqiptarëve në kushtet kur dhe si i mori për interesat e atdheut e popullit të vet.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u krijua nga një dëshirë monarku, nga një urdhër gjenerali, nga një vendim parlamenti a nga një dëshirë e një aventurieri. Ajo lindi nga pjekuria politike e popullit të Kosovës për identitet kombëtar dhe vullneti i tij për të fituar lirinë dhe pavarësinë nga pushtuesi shekullor me forcën e armëve dhe me sakrifica ekstreme, në pamundësi për t’u marrë vesh paqësisht e ndarë atë që i takonte Kosovës e popullit të saj.
Një nga parimet bazë të Luftës Çlirimtare të Kosovës ishte vullnetarizmi në krijimin e ushtrisë së nevojshme. Pikërisht këtu duket më së miri pjekuria politike e popullit të Kosovës, prej këtu del edhe përfundimi se ky popull e meritoj, plotësisht lirinë e tij.
Vullnetarizmi, si parim bazë i furnizimit të UÇK-së me forcë njerëzore luftarake, ka luajtur një rol të rëndësishëm në besimin e popullit. Por këtë nuk mund ta kuptojnë ata që sot na i akuzojnë djemtë në gjyqe ndërkombëtare, si mbështetje të gjykimeve që akoma vazhdon t’i bëjë Serbia në mungesë.
Duhet ditur se një luftë qoftë edhe e një ushtrie të kufizuar e me afat të shkurtër shtrirjeje të jetë, ka nevojë për mbështetje. Këtë mbështetje e ka në terren. Ajo forcë ushtarake që ka terrenin me vete, e ka të sigurt edhe fitoren. Një ushtri sado e madhe të jetë, por që humbet kontaktin me terrenin nuk arrin të kontaktojë më me qytetërimin, sepse asgjësohet totalisht, pa bërë asnjë betejë, sepse humbet moralin e të qenit ushtri.
Pra, duket se një forcë mund të quhet ushtri dhe ta ndiejë veten ushtri vetëm në marrëdhënie me terrenin, pra, me popullin që banon tokën ku zhvillohet lufta.
Në Kosovë populli shqiptar ishte shpirti i Luftës Çlirimtare, kështu që normalisht do të ishte edhe bazë e kësaj lufte.
Veprimtaria popullore në interes të luftës në Kosovë, kishte vlera të mëdha se ajo ishte e domosdoshme në këto fusha: Së pari, UÇK-ja duhet të ushqehej çdo ditë me gjak të ri; së dyti, kjo ushtri duhej të dinte se populli prej gjirit të të cilit doli ishte i qëndrueshëm, ndaj duhet të ishte i qetë dhe i bashkuar për të përballuar gjithë rrebeshin fashist serb; së treti, UÇK-ja kishte nevojë për armë; së katërti, në luftë kishte të plagosur që duheshin kuruar; së pesti, kjo ushtri donte bukë; së gjashti, faktorët që sollën fitoren mbi armikun në Kosovë ishin Lufta Çlirimtare heroike e ushtrisë më të re në botë dhe deklarimi në opinionin ndërkombëtar i reprezaljeve dhe i krimeve të serbëve mbi popullin e Kosovës. Pra, ky popull është jo vetëm ushqyes i ushtrisë së tij dhe luftës së saj, por edhe bashkëfitimtar i kësaj lufte me heroizmin e treguar para bishave serbe. Së shtati, ky popull ktheu në momente uniteti e demonstrimi të vullnetit të lirisë, me gjithë sakrificat që bartte, edhe momentet e përmortshme të varrosjes së viktimave dhe të martirëve e dëshmorëve. Së teti, ky popull i besoi UÇK-së si diellit, si dritës, si ajrit, pa të cilat nuk mund të kishte jetë. Filozofia e këtij populli u bë liria dhe mjeti i realizimit të saj, UÇK-ja.
Këto i kam deklaruar edhe herë të tjera, por desha t’i freskoj edhe njëherë në kujtesën e atyre që kanë rënë në letargji e kujtojnë se liria erdhi si dhuratë.
Lufta ka vazhduar gjatë në Kosovë. Por edhe përkundër vazhdimësisë së saj, ajo nuk arriti dot të institucionalizohet si një luftë e përgjithshme përgjatë gjithë historisë së Kosovës së pushtuar nga Serbia. Pikërisht, këtu qëndron edhe forca e Luftës Çlirimtare të Kosovës, ngaqë ajo arriti të ngrejë jo vetëm opinionin e brendshëm, por edhe atë ndërkombëtar, duke u kthyer në një luftë të përgjithshme, që përfshiu në kohë të shkurtër gjithë Kosovën.
Në Kosovë kishte shumë vite që gatuhej kjo luftë. Amvisa e gatimit të saj natyrisht se ishte Serbia. Ajo me regjimin e saj donkishotesk, nuk arriti për asnjë moment që të mirëkuptohet me këtë popull, që historia e kishte lënë padrejtësisht në bashkëjetesë me të, duke e shkëputur nga trungu i shtetit amë. Natyrshëm, në kushtet e një shtypjeje të pashembullt; në kushtet e një gjenocidi të pashoq; në kushtet e pasigurisë më elementare për jetë; në kushtet e varfërisë dhe të diskriminimit; në kushtet e shpronësimit të vazhdueshëm e të përzënies nga trojet e tyre me të gjitha mënyrat, që nga mashtrimi e deri tek asgjësimi, nuk mund të pritej gjë tjetër veçse ndeshje e armatosur.
Sipas vlerësimeve, nuk kishte alternativë tjetër përveç luftës që mund ta vendoste çlirimin e popullit të Kosovës nga sundimi serb.
Lufta Çlirimtare e Kosovës erdhi si flamurtare për t materializuar jetën kombëtare shqiptare.
Serbia, e cila kishte investuar për ta zhdukur Kosovën, ishte më se e qartë se nuk mund të gjente mirëkuptim për ta lënë të lirë atë.
E megjithëse dihet se lufta me armë është elementi më i papranueshëm për jetën e një shoqërie njerëzore, ja që kushtet e papërgjegjësisë nacionale e diktojnë atë. Në këto kushte Lufta Çlirimtare e Kosovës ka ardhur jo si një dëshirë, por si një domosdoshmëri.
Lufta Çlirimtare e Kosovës do të udhëtojë nëpër jetën kombëtare shqiptare, si një tregues drejt ardhmërisë, sepse ishte akti më i arsyeshëm për sigurimin e çlirimit nga pushtimi dhe ishte elementi kryesor që largoi sundimin shekullor serbo-sllav.
Ndër arsyet pse dalim në këtë përfundim konsideroj: Kosova ishte e pushtuar; Jeta në Kosovë ishte bërë e padurueshme;Kosovës po i hiqeshin të drejtat e të qenit komb shqiptar; Politika serbe në vazhdimësi ishte politike shoviniste; Askush nuk e kishte jetën të sigurt, vrasjet dhe zhdukjet ishin modë e ditës; Toka e Kosovës po përvetësohej nga serbët; Pasuria e Kosovës shkonte në Serbi; Politika serbe ishte politikë e asimilimit dhe e shpërnguljes masive të shqiptarëve, e mbështjellë me kolonizim masiv të Kosovës me serbë; Inteligjencia kosovare diskriminohej në vazhdimësi; Arsimi shqip u eliminua; Populli i Kosovës konsiderohej dhe trajtohej si një tepricë njerëzore; Politika kosovare nuk përfillej nga pushtuesi; Kërkesat u shpërfillën të gjitha; E drejta e punës ishte vetëm në ata sektorë që kërkonin punë të klasës së fundit; Politika serbe që e quante Kosovën – Serbi e Vjetër mori përmasa shumë të mëdha; Doli në plan të parë asgjësimi i shqiptarëve; Mirëkuptimi nuk u pranua në asnjë nivel pushteti nga serbët; Demonstratat dhe protestat u mbytën me gjak; U nëpërkëmb nderi shqiptar në përgjithësi dhe i çdo familjeje në veçanti; Serbët e Kosovës në vazhdën e politikës së Beogradit u kriminalizuan në shumicë, duke u bërë të rrezikshëm për bashkëjetesë etj. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në dyvjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të Adem…