Në kujtim të mentorit shkencor dhe bashkëligjëruesit, prof. dr. Aleks Luarasi

26 nëntor 2021 | 12:39

Shkruan: Prof. dr. Fejzulla BERISHA, profesor universitar në universitetet publike: Kosovë – Shqipëri – Maqedoni.

Pak fjalë për ikonën e fakultetit të drejtësisë të Universitetit të Tiranës, prof. dr. Aleks LUARASI

Prof. Dr. Aleks Luarasi u lind në Luaras të rrethit të Kolonjës në vitin 1941. Në vitin 1972 është zgjedhur pedagog në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Gjatë  veprimtarisë së Tij mësimore dhe shkencore ka shkruar tekste të nivelit universitar, monografi dhe artikuj në fushën e shkencave juridike, disa prej të cilave janë botuar edhe jashtë vendit.

Veprat e tij kryesore janë: “Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri”, “Shteti dhe e drejta shqiptare në epokën e Skënderbeut (1998), “Studime për të drejtën zakonore shqiptare – Marrëdhëniet familjare” (2001) etj.

Prof. Dr. Luarasi ka qenë Ministër dhe Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Nga viti 1992 – 1998 ka qenë anëtar i Komisionit të Venecias pranë Këshillit të Evropës.

Në vitin 1993 ka krijuar Shtëpinë Botuese “Luarasi” të profilit juridik dhe në po atë vit themeloi Universitetin “LUARASI” ku ka qenë edhe Rektor i tij.

Profesor Aleksi ka edukuar me dhjetëra breza studentësh, prej të cilëve do të mbahet mend për artin e tij të mësimdhënies, durimin, mençurinë, pasionin dhe thjeshtësinë. Ai ka qenë jo thjesht themelues i Universitetit “LUARASI”, por edhe një ikonë shpirtërore dhe intelektuale-akademike  për studentët, profesorët dhe të gjithë ata që e njohën.

Profesorët dhe studentët e Fakultetit të Drejtësisë të cilët u brumosëm nga ai, me pronën  intelektuale dhe-kombëtare, por edhe me shpirtin e drejtësisë dhe të vërtetës, sot të   përulemi dhe të themi: Faleminderit profesor LUARASI, që gjithçka bëre për ne dhe kombin të cilit i përkasim.

Në kujtim të mentorit shkencor dhe bashkë ligjëruesit, Prof. dr. Aleks Luarasit

Me dhembje të madhe mora lajmin për ndërrimin jetës të udhëheqësit- mentorit tim shkencor dhe bashkë ligjëruesit Prof.Dr. Aleks Luarasit, profesorit të çmuar të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetit të Tiranës, intelektualit me vlera të jashtëzakonshme i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi studimeve të thelluara të historisë politike dhe juridike të kombit shqiptar.

Profesor Luarasin e njoha që në vitin 1980/1981, atëherë kur isha në përfundim  të studimeve themelore në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës, ku në atë kohë ishte institucionalizuar bashkëpunimi shkencor dhe akademik ndërmjet  Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës, ku me pasion mbante leksione për shtetin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Nga ajo kohë e evulimit të kombit shqiptare në linjë institucionale, kemi mbajtur raporte të vazhdueshme duke e thelluar bashkëpunimin tonë shkencor, profesional dhe kombëtar sidomos ndërmjet viteve 1994-2020, përkatësisht deri pak kohë pa ndërruar jetë profesori dhe miku im, Prof. Dr.Aleks Luarasi.

Me përkushtimin e tij jetësor prej shkencëtari dhe atdhetari, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në studimet e historisë së institucioneve politike dhe juridike iliro-shqiptare, duke na lënë një trashëgimi me vlera të larta shkencore.

Duke i shprehur ngushëllime kombit tonë në përgjithësi dhe familjes së tij në veçanti, besoj se ata do të gjejmë forcën ta përballojnë këtë dhëmbje!

Prehu i qetë miku dhe mentori im shkencor Prof.Dr. Aleks LUARASI!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjatë…