Në Kumanovë kur jehonte urrejtja ndaj shqiptarëve, në lozhë nga Mickoski sundonte heshtja!!! Kush po e ndez fitilin e urrejtjes!?”

03 gusht 2025 | 16:27

Ngjarja e fundit në Kumanovë gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë nuk ishte vetëm një shpërthim turmash të pakontrolluara. Ato ishin një pasqyrë e zymtë dhe e rrezikshme e asaj që po gëlon në heshtje në shoqërinë e këtijë vendi. Një valë urrejtjeje e toleruar nga maja e shtetit,që mund të shndërrohet në destabilizim të pakthyeshëm.
Kur nga tribunat jehonin thirrje si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, në radhët e para të të ftuarve të nderit ndodheshin Kryeministri Hristijan Mickoski, Ministri i Jashtëm Panço Toshkovski, Zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq dhe Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Asnjëri prej tyre nuk reagoi. Asnjë fjalë, asnjë gjest. Një heshtje që sot kumbon më fort se çdo parullë. Një heshtje që ngjan më shumë me miratim sesa me mosvëmendje. Në një vend me pretendime evropiane, ky mosreagim institucional është jo vetëm skandaloz, por edhe sinjal i qartë i një kursi të rrezikshëm politik. Aty ku tolerohet ekstremizmi si mjet mobilizimi i bazës nacionaliste dhe ku liderët e shtetit nuk dënojnë publikisht gjuhën e urrejtjes, do të thotë se realisht ata e ushqejnë këtë gjihë, duke e bërë pjesë të diskursit publik. Me këtë që po ndodh, po dëshmohet edhe alarmi i raportit të Parlamentit Europian, që paralajmrojë mundësi destabiliteti në këtë vend. Pra, Maqedonia e Veriut po rrezikon të rikthehet në spiralen e njohur të ndasive etnike që e kanë ndjekur si hije dekadash me radhë. Por rreziku i vitit 2025 është më i thellë. Këtë herë, urrejtja po institucionalizohet, po normalizohet nga pushteti, dhe po shpërndahet me bekimin e heshtur të atyre që duhet të ishin gardianë të demokracisë dhe barazisë.
Nëse sot normalizohen parullat për “dhomat e gazit” ndaj një etnie që përbën mbi një të katërtën e popullsisë siqë janë shqiptarët, nesër çfarë tjetër do të jetë e pranueshme? A do të jetë e pranueshëm edhe dhuna fizike, përjashtimi nga jeta publike, përndjekja dhe arrestimet ndaj shqiptarëve.
Një sinjal i rrezikshëm se ndërtimi i bashkëjetesës ndëretnike, themeli mbi të cilin qëndron stabiliteti i Maqedonisë së Veriut se po ecën drejt kolapsit.
Shqiptarët nuk kërkojnë trajtim të privilegjuar, por barazi dhe garanci se do të jetojnë në një shtet që i mbron nga urrejtja dhe diskriminimi. Në mungesë të kësaj garancie, radikalizimi i skajshëm mund të mos vijë vetëm nga tribunat. Ai mund të infektojë edhe rrugën politike dhe shoqërore. Ku pasojat do t’i ndjejë i gjithë shteti, jo vetëm shqiptarët.
Koha për reagim institucional nuk ka kaluar ende. Por çdo ditë heshtjeje është një hap më afër përplasjes.Të shpresojm se reagimi institucional do jetë i ngjashëm siqë merren masa ndaj shqiptarëve dhe për shkeljet më të vogla. E kundërta siqë jemi mësuar të gjejnë masa lehtsuese për tifozat ultranacionalist maqedonas, do të rrisë edhe më shumë ndjenjën e pasigurisë dhe ndarjen e hendekut mes etnive.

Shkruar nga Bekim Adili, Kërçovë 3.08.2025

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në vitet e fundit nataliteti ka shënuar rënie në Kosovë.…