Në nderim të dëshmorit të kombit Imri Halili, në 24 vjetorin e rënies heroike!

06 maj 2023 | 22:44

Shkruan: Sakip Imeri

Në fillim të Prillit 1999, erdhi edhe Imriu nga Gaçka, duke u radhitur në mesin e ushtarëve në Brod. U gëzuam të gjithë, se u shtuan radhët, ishim me shumë dhe ishte edhe një Doktor (student i mjekësisë) ne mesin tonë.

Ishte shumë i përkushtuar, i disiplinuar dhe gjithmonë i gatshëm për çdo detyrë. Përveç detyrave si ushtarë, kujtoj dy momente te veçanta te angazhimit te Imriut: ndihma mjekësore familjes se Aziz Shaqirit, nga Bitija e poshtme (Godrovica) te cilit i vdiq gruaja 36 vjeçare, djali 16 vjeçar, nxënës i Gjimnazit “Kuvendi i Arbrit” dhe Vajza 5 vjeçare. Vdekja i mori nga te ftohtit ne Lybeten, rrugës për te gjetur shpëtim ne Tetovë.

Trajtimi i parë mjekësor fëmijëve te ngrirë dhe te traumatizuar (Shqipes dhe Arlindës) ju dha nga Imriu; dhe momenti i dytë, ndihma te plagosurve ne fshatin Sllatinë e Kaçanikut gjatë ofensivës serbe 12 Prill 1999.

Ngjarja tragjike e familjes së Aziz Shaqirit, Jenuz Koxhës dhe Man Manit ishte e rënd, si për familjaret dhe gjithë popullin.

Zhvendosja e tërësishme e popullatës shqiptare të trevës së Syrinikës, mbi 4000 banor të të gjitha moshave, nga fshatrat Brod, Firajë, Izhanc, Kashtanevë dhe Biti e poshtme është bërë pas një varg ngjarjesh: djegie, presion fizik dhe pas ultimatumit të policisë serbe të Shtërpcës. Zhvendosja ishte sa e mundimshme, edhe me pasoja tragjike në njerëz dhe pasuri. E gjithë kjo ka ndodhur me 28 mars 1999, ditë Bajrami, ditë që nuk do të harrohet asnjëherë nga shqiptarët e kësaj treve. Të gjitha rrugët ishin të vështira, por kjo përmes Lybetenit ishte shumë e mundimshme dhe me pasoja tepër tragjike për këto tri familje.

Në përpjekje për të kaluar në Maqedoni, me qëllim të shpëtimit të anëtarëve të familjes nga ndonjë masakër e mundshme e forcave serbe, të cilat ndodhnin çdo ditë anë e mban Kosovës, ndodhi ngjarja me pasoja tragjike; të premten me datën 9 Prill 1999, kur grupi i qytetarëve (prej 27 anëtarësh), në mesin e të cilëve ishin edhe familja prej nëntë anëtarëve e Aziz Shaqirit nga Bitia e Shtërpcës dhe familja e Jenuz Koxhës, gjashtë anëtarëve nga fshati Koxhaj i Kaçanikut, nisen përmes malit Sharr, rrëzë majës së Lybetenit për ta kaluar kufirin, së bashku edhe me disa familje tjera. Nga furtuna, mjegulla dhe bora e madhe, grupi është ndarë. Ata që kanë qenë më të fortë, kanë ecur në drejtim të Maqedonisë, ndërsa Azizi me familjen e Tij dhe familja e Jenuz Koxhës kanë mbetur rrëzë majës së Lybetenit, me ç’rast kanë vdekur:

  Sevdije Shaqiri, 36 vjeçare, nënë e shtatë fëmijëve,

  Ferid (Aziz) Shaqiri, 16 vjeçar, nxënës i klasës parë të Gjimnazit “Kuvendi i Arbrit“, tani “Kongresi i Manastirit” në Firajë, dhe

  Vlora (Aziz) Shaqiri, 5 vjeçare, fëmijë, pastaj

  Mihrije Idrizi – Koxha, së bashku me të bijën

  Nermine Jenuz Koxha, 20 vjeçare

Që tragjedia të mos jetë edhe më e madhe, në këtë fatkeqësi ndodhi një mrekulli: këtë ditë për t’ju bashkuar radhëve të UÇK-së po ktheheshin nga Tetova vëllezërit Bajram dhe Ilaz Idrizi nga fshati Brod të cilët i gjetën anëtarët e këtyre familjeve fatkeqe dhe për aq sa mundën ju ofruan ndihmë dhe lajmëruan pjesëtarët e UÇK-se në fshatin Brod, të cilët pas lajmit për ngjarjen që ka ndodhur dhe vendin ku gjenden këta njerëz, u shkojnë në ndihmë një ekip prej 16 ushtarësh.

Pasi i gjejnë këta fatkeq (katër fëmijë të ngrirë, të strukur afër njëri tjetrit, të palëvizshëm e të cilët mezi hetoheshin se janë të gjallë), ku në gjendje më të rëndë kishte qenë Arlinda dyvjeçare, të cilën e ka sjellë në mënyrë të rrufeshme Gafurr Hasani, i cili rrugën që në kushte normale mund të përshkohet së paku për tri orë e ka bërë për rreth një orë, duke e fërkuar dhe pështjellur me rroba të trupit. Fëmijët më shumë ngjanin në kukulla të ngrira se në njerëz. Ne gjendje shume te rende ishte edhe djali i dyte i Azizit, Blerim Shaqiri i lindur me 29 Tetor 1987.

Së pari i marrin të gjallët dhe i tërheqin për në fshatin Brod që t’u ofrojnë ndihmën e parë, mandej edhe të vdekurit me qëllim të varrosjes së tyre.

Për fëmijët në gjendje më të rëndë (Shqipen nëntë dhe Arlindën dy vjeçare), vazhdimisht u kujdes mjeku i zellshëm dhe trim – ushtari Imri Halili nga fshati Gaçkë, i cili ofroi tërë mundin, dijen dhe barnat që kishte vetëm që të jetojnë Shqipja, Arlinda, po edhe fëmijët tjerë më pak të lënduar. Imriu më vonë ra heroikisht në fushën e nderit.

Tri kufomat e gjetura: Sevdije Shaqiri, Ferid Shaqiri dhe Nermine Koxha, u varrosën në kushte tejet të vështira në fshatin Brod, në varrezat e lagjes Ogushaj nga pjesëtarët e UÇK-së, ditën e shtunë me 10 Prill 1999, ndërsa fëmija Vlora Aziz Shaqiri dhe Mihrije Idrizi – Koxha janë gjetur nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar rrëzë majës së Lybetenit, janë bartur me helikopter dhe janë varrosur nga të afërmit e tyre në varrezat e Tetovës.

Po aq tragjike ishte edhe vdekja e Vezire Man Manit, fëmijë dhjetëvjeçar nga fshati Brod, e cila së bashku me familjen e saj po kalonte lumin Lepenc afër fshatit Sllatinë për të gjetur shpëtim në Maqedoni. Kjo vajzë deri sa po kalonte vigun mbi lumin Lepenc, bije në lumë, të cilën e rrëmbejnë valët e furishme dhe e tretin në lumin e turbulluar. Edhe pas përpjekjeve disa orëshe për ta shpëtuar dhe gjetur trupin e saj, nuk arritën që ta gjejnë ato ditë. Kufoma e sajë është gjetur pas një muaji nga babai i saj Man Mani dhe Xhavit Hyseni – ushtar të UÇK-së. Në pamundësi që ta sjellin dhe varrosin në fshatin e lindjes kufomën e saj e varrosin në fshatin Sllatinë.

Respekt dhe nderim i përjetshëm për Dëshmorët e Kombit dhe te rënët për liri!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar ditëlindjen…