
Në Prilep një burrë ka privuar nga jeta djalin, nipin, më pas veten
Një ngjarje e rëndë familjare ka tronditur qytetin e Prilepit të shtunën pasdite, ku një burrë ka vrarë me armë zjarri nipin dhe djalin e tij 11-vjeçar, përpara se të vetëvritej.
Tragjedia ndodhi rreth orës 15:00, në një lagje pranë Qendrës për Punë dhe Politikë Sociale në Prilep.
Në momentin kur Policia më në fund u paraqit në vendin e ngjarjes, ndodhi një incident tjetër serioz. Një inspektor i SPB–Prilep tentoi të hynte në shtëpinë ku kishte ndodhur krimi, por autori i dyshuar e kërcënoi me një bombë dore, duke e detyruar të tërhiqej. Vetëm pas këtij momenti, dorasi aktivizoi bombën, duke shtuar panikun mes banorëve të lagjes.
Për shkak të situatës së rrezikshme, SPB–Prilep kërkoi ndihmë nga Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup. Një ekip special u dërgua me helikopter, por mbërritja e tyre ndodhi vetëm rreth orës 01:30 të mëngjesit të së dielës – më shumë se 10 orë pas raportimit të parë të rastit.
Ndërhyrja për neutralizimin e autorit nuk solli rezultat, pasi ai kreu vetëvrasje pak çaste para aksionit.
Pas këtij rasti, në vendngjarje dolën ekipet e krim-teknikës, pokurorisë dhe Mjekësisë Ligjore, për të kryer hetimin dhe grumbullimin e dëshmive.
Deri më tani, nuk dihen motivet që çuan në këtë akt tragjik, ndërsa MPB ende nuk ka dhënë asnjë deklaratë zyrtare, edhe pse bëhet fjalë për një nga rastet më të rënda të dhunës familjare dhe krizës së reagimit institucional.