Në shtator nis regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta, më 12 tetor do të votojnë përmes ekipeve mobile

05 gusht 2025 | 16:08

Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave dhe për Kuvende Komunale, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta do të fillojë gjatë muajit shtator të këtij viti.

Për të mundësuar votimin e personave të regjistruar si votues me nevoja të veçanta, KQZ do të angazhojë ekipet mobile në çdo komunë të Republikës së Kosovës, në ditën e zgjedhjeve, më 12 tetor 2025.

Sipas asaj që ka njoftuar KQZ-ja, regjistrimi dhe evidentimi i votuesve me nevoja të veçanta do të bëhet në bashkëpunim me institucione relevante dhe përmes platformës elektronike, e cila do të jetë e qasshme në kohën e fillimit të këtij procesi.

KQZ-ja ka thënë se votuesit me nevoja të veçanta përfshijnë tri kategori kryesore dhe regjistrimi i tyre do të bëhet brenda këtyre afateve:

Regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta do të fillojë më 7 shtator dhe do të përfundojë më 7 tetor 2025. Votues me nevoja të veçanta, konsiderohen votuesit me zotësi juridike që nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për të votuar personalisht në vendvotim, për shkak të paaftësisë fizike, shëndetësore ose çfarëdo paaftësie tjetër.

Regjistrimi i këtyre votuesve mund të bëhet përmes platformës elektronike ose fizikisht në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është votuesi.

Regjistrimi dhe evidentimi i votuesve me lëvizje të kufizuar në institucione do të fillojë më 15 shator dhe do të përfundojë më 2 tetor 2025.

Votues në institucione konsiderohen votuesit me zotësi juridike, me lëvizje të kufizuar në ndonjë institucion: votuesit në hospitalizim, njerëzit e moshuar në shtëpitë e caktuara për të moshuarit, personat në trajtim në institucionet e shëndetit mendor, të burgosurit në burgje dhe të paraburgosurit në qendrat e paraburgimit.

KQZ-ja në bashkëpunim me institucione relevante bën evidentimin e këtyre votuesve. Votuesit me lëvizje të kufizuar në institucione dhe të evidentuar prej tyre konsiderohen si votues të regjistruar, ndërkaq votuesit që ndodhen në institucione të hospitalizimit, shtëpitë e të moshuarve dhe strehimoret për mbrojtjen e viktimave, mund të regjistrohen edhe individulisht përmes platformës elektronike.

Regjistrimi i votuesve në rrethana të veçanta do të fillojë më 7 shtator dhe do të përfundojë më 7 tetor 2025. Votues në rrethana të veçanta konsiderohen votuesit që për shkaqe sigurie dhe votuesit që janë në arrest shtëpiak nuk mund të votojnë në vendvotimin e tyre të caktuar.

Regjistrimi i votuesve që për shkaqe sigurie nuk mund të votojnë në vendvotim bëhet përmes platformës elektronike të KQZ-së si dhe duke kërkuar asistimin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është votuesi, ndërkaq, KQZ-ja në bashkëpunim me institucionet përkatëse bën evidentimin e qytetarëve me të drejtë vote që ndodhen nën masën e arrestit shtëpiak.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i AAK-së dhe njëri nga themeluesit e UÇK-së, Lahi…