Në Tiranë, dasmë; në Dibër, funeral, qindra të pranishëm

01 gusht 2020 | 21:15

Dita e sotme shënoi një tjetër rekord të ri të infektimeve të reja në Shqipëri. Në 24 orët e fundit u regjistruan 120 raste të reja, 119 të infektuar të shtruar në spital dhe 4 viktima.

Autoritetet shëndetësore vijojnë t’u bëjnë thirrje qytetarëve t’i shmangin festat, ditëlindjet, dasmat e ceremonitë mortore si vatra kryesore e shpërndarjes së Covid-19, por ajo që vihet re është se shumë qytetarë ende nuk janë ndërgjegjësuar. Kjo ndoshta edhe për faktin se virusi shumë i rrezikshëm është i padukshëm dhe shumë njerëz mund të jenë të prekur nga COVID-19, por mund të mos kenë simptoma. Kushdo që mund të jetë pjesëmarrës në këto ceremoni mund të jetë bartës apo të infektohet nga koronavirusi.

Për ne shqiptarët dasma është gëzim dhe duhet festuar bashkë, ashtu si vdekja është hidhërim dhe me njerëz dhimbja e humbjes bëhet më e lehtë, por duhet t’i thërrasim mendjes sa nuk është vonë.

Në dy video të mbërritura në redaksinë e “Ora News” njerëzit duket se kanë harruar se armiku i padukshëm mund të jetë mes tyre.

Njëra video është filmuar në një lagje të Tiranës. Në mesin e një kompleksi pallatesh qytetarët të kapur përdore kërcejnë pasi martojnë një të afërm. Në mes të valles me daulle është edhe një lopë së cilës madje i kanë vendosur edhe një kordele të kuqe. Duhet të jetë dhuratë për çiftin e ri.

Ndërsa në Peshkopi të shumtë ishin ata të cilët e përcollën për në banesën e fundit 18-vjeçarin që u mbyt dje në ujërat e Drinit të Zi. Nga pamjet e mbërritura në redaksi shihen aq shumë njerëz sa nuk ke ku të hedhësh “kokrrën e mollës” e për distancim fizik as që bëhet fjalë.

Çka nënkupton se në javët në vijim numri i të infektuarve nuk pritet të ulet nëse vazhdojmë kështu.

Kjo është një pandemi që po shkakton mijëra të vdekur në të gjithë botën dhe autoritetet më të rëndësishme të shëndetit në botë bëjnë thirrje për ta ndryshuar stilin e jetës, ruajtur distancën fizike dhe higjienën personale si të vetmet armë për ta luftuar koronavirusin.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këtë vit grumbullim rekord të grurit ka bërë fabrika “M…