Në Vjenë u promovua libri “Pranverë e helmuar”, që u kushtohet mbi 8 mijë fëmijëve të helmuar në Kosovë

26 tetor 2020 | 16:18

Në mjediset e hotel “Europahaus” në Vjenë është bërë përurimi i librit “Pranverë e helmuar” i publicistit dhe veprimtarit të shquar në Austri, Hazir Mehmeti.

Libri „Pranverë e helmuar“, i cili është një shenjë kujtimi e respekti për nxënësit e helmuar shqiptarë në vitin 1990 ndonëse me një numër të kufizuar mblodhi bashkë përfaqësues diplomatikë të shteteve shqiptare, si dhe veprimtarë dhe figura të ndryshme shqiptare që jetojnë dhe veprojnë në Austri.

Hapjen e prezantimit të librit e bëri Kaltrina Durmishi e cila ftoi edhe autorin e librit, Hazir Mehmetin për një fjalë përshëndetëse.

Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri, autori Hazir Mehmeti falënderoi të gjithë mysafirët si dhe përkrahësit e librit.

Më pastaj të pranishmit i përshëndeti edhe Ambasadori i Shqipërisë në Austri, Roland Bimo, si dhe sekretarja e parë në Ambasadën e Kosovës, Shkurta Krasniqi.

Para se të merrnin fjalën panelistët e ftuar, u shfaq një video incizim filmik, dokumentar i helmimit të fëmijëve në Kosovë.

Eqrem Zenelaj: Libri „Pranverë e helmuar“ argumenton dëshirën e armikut për helmimin e së ardhmes së kombit shqiptar në Kosovë.

Për shkak të arsyeve personale, recensenti i librit i cili ishte i ftuar edhe panelist, profesor Eqrem Zenelaj nuk kishte mundësi të jetë i pranishëm. Megjithatë, një kumtesë të dërguar enkas për përurim të librit, e lexoi shkrimtari, Anton Marku.

“Në përmbajtjen e librit “Pranverë e helmuar” shihet mirë një periudhë e rëndë që përjetoj kombi shqiptar në Kosovë. Fëmija është e ardhmja e një kombi, armiku e dëshironte helmimin e së ardhmes së kombit shqiptar. Që në hyrje të librit me argumente përkujtohen krimet serbe ndaj shqytarëve në trojet e tyre etnike të organizuara dhe dirigjuara nga pushteti shfarosës serb i programuar nga akademikët dhe kisha ortodokse serbe. Faktet e mbledhura në arkivat dhe bibliotekat e vendeve të ndryshme, librit i dhanë dimensione shkencore të pa kontestueshme. Kronologjia e renditjes së fakteve përshkohen me saktësi që nga “Golgota Shqiptare” (Albanische Golgota) e Leo Freundlich deri tek ditari personal i autorit”, thuhet në një pjesë të kumtesës.

Libri bazohet në katër shtylla të fuqishme të një tërësie kohore të përmbajtjes: Rrethanat e represionit të pushtuesve serb para dhe gjatë helmimit; dokumente e shkrime nga shtypi botëror; faktet nga hulumtimet shkencore për praninë substancave helmuese kimike në mostrat e fëmijëve të helmuar; ditari personal i autorit në kohën e helmimeve duke qenë vetë dëshmitar i ngjarjeve të rënda.

Autori i librit: Hazir Mehmeti

Në mesin e fëmijëve të helmuar, kishte fëmijë edhe të moshës 4 vjeçare

Rreth librit të autorit dhe ngjarjes së helmimit të fëmijëve në Kosovë, para të pranishmeve foli edhe profesoresha dhe shkrimtarja Violeta Allmuça.  Në fjalën e saj, ajo tha se në pranverën e vitit 1990 do të ndodhte në Kosovë krimi serb i helmimit në masë të fëmijëve shqiptarë. Fatkeqësisht u helmuan edhe fëmijë 4 vjeçarë. Ata nuk ishin fajtorë për asgjë tjetër përpos që ishin shqiptarë.

“Krimi serb vrau kështu familjen dhe jetën e një populli të pafajshëm, Sot që flasim pas 30 vitesh për atë ditë të zezë kemi të drejtë të themi se ky akt barbar i regjimit serb ishte një krim kundër njerëzimit ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Kjo tragjedi e rëndë kundër jetës së fëmijëve shqiptarë nuk kishte ndodhur kurrë në Evropën e qytetëruar. Doktrina serbe për zhdukjen  e shqiptarëve e cila ka pasur si qëllim të dëbonte edhe shpirtin e fëmijëve nga trojet e tyre nuk mundi ta shuajë gjakun shqiptar. Përdorimi i gazrave toksike për të shuar jetën e nxënësve nëpër shkollat shqipe ishte një gjenocid i hapur dhe antinjerëzor me sunimin për të frikësuar shqiptarët. Në përkujtim të këtij akti barbar tashmë kemi përballë Hazir Mehmetin, një dëshmitar okular i cili ka parë dhe ka jetuar, madje ka mbajtur edhe një ditar për pranverën e helmuar shqiptare”, theksoi profesoresha njëherësh lektorja e librit, Violeta Allmuça.

Ditari i Hazir Mehmetit i “varrosur” në vitin 1997 nga Prof.Bedri Shyti u “zhvarros” pas luftës në Kosovë në vitin 1999 kur Kosova fitoi lirinë. “Brenda atij “varri” nën dheun e Vushtrrisë ishin faktet dokumentare, ishin shenjat dhe gjurmët që synuan të mbjellin vdekjen e nxënësve të shkollave shqipe. Ndoshta asnjë ushtri në botë nuk mund të zhvillonte beteja helmuese kundër fëmijëve, përveç forcave serbe në shekullin e XX-të”, theksoi në vazhdim profesoreshë Allmuça.

Violeta Allmuça

Xhevdet Zenuni: Po të përdorej në atë kohë helmi ndaj të moshuarve, pasojat do të ishin edhe më të mëdha

Në panelin e të ftuarve, i pranishëm ishte edhe mjeku shqiptar që vepron në Vjenë, Dr. Xhevdet Zenuni. Ai, ndonëse u shpreh se atëbotë ishte shumë i ri dhe sapo kishte përfunduar studimet e mjekësisë, e kujton pranverën e vitit 1990 kur sunduesi serb përdori gazra toksike për të helmuar fëmijët shqiptarë. Dr. Xhevdet Zenuni shpjegoi në detaje se çfarë helmi kanë përdor pushtuesit serbë dhe çfarë pasojash kishte për fëmijët shqiptarë.

“Kjo ka qenë një prej agresioneve që bënte pushtuesi serb ndaj popullit tonë, duke mos kursyer edhe fëmijët. Helmi që është përdor, fillimisht është prodhuar në Gjermani. Më pastaj këtë lloj gazi e kanë prodhuar edhe në ish Jugosllavi. Ky gaz është përdorur edhe gjatë luftërave të ndryshme në Iran dhe Irak, Siri, zhdukjen e kurdëve nga Sadam Hyseni, etj. Efekti kimik i këtij helmi është që kontrakton muskujt e trupit të njeriut. Ju e dini që një muskul me të kontraktuar në ngërç shkakton dhimbje për disa kohë, ndërkohë ky helm ka pas kontakt me gjithë muskujt e trupit të personave, e që ka shkaktuar dhimbje të mëdha. Nëse doza e helmit ka qenë më e rëndë, atëherë ka ndodhur edhe deri tek problemet me frymarrje dhe vdekjet. Për fat të mirë helmi është përdorur ndaj fëmijëve të cilët edhe kanë rezistuar më shumë por, që kanë mundur të lë pasoja në trauma, ngërçe të ndryshme, pasoja psikike etj. Po të ishte përdorur ndaj të moshuarve, do të kishim pasoja më numër më të madh të rasteve vdekjeprurëse”, theksoi dr. Xhevdet Zenuni.

Dr.Xhevdet Zenuni

Hazir Mehmeti është bashkautor i 19 teksteve mësimore në diasporë si dhe bashkëpunëtor i disa gazetave dhe revistave në diasporë dhe vendlindje.

Ky është libir i tij i nëntë.

Libri “Pranverë e helmuar” është promuar në kuadër të “Javëve të Kulturës Shqiptare në Austri” të cilat tash e disa ditë kanë nisur aktivitetet e saja.

Albinfo.at është partner medial për gjatë gjithë aktiviteteve të “Javëve të Kulturës”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti…