Nënkryetari i Tuzit uron shoqatën ‘Jehona e Malësisë’ për misionin e saj: Të bashkuar jemi më të fortë!
Përkrahja dhe falënderimet për shoqatën më të re të themeluar në Michigan, “Jehona e Malësisë” vijnë nga të gjitha anët.
Të shtunën përmes një postimi një llogarinë e vet në “Facebook” nënkryetari i Komunës së Tuzit, Ivan Ivanaj, ka përshëndetur themelimin e kësaj shoqate, duke i uruar suksese në misionin e shenjtë, për t’i shërbyer bashkimit, punës dhe interesit të përgjithshëm.
Postimi i plotë i tij:
Diaspora jonë ka kontribuar ndër vite në zhvillimin ekonomik të Malësisë, por gjithashtu edhe në ruajtjen e forcimin e identitetit.
Të organizuar në shoqata të cilat kanë plan dhe program të hartuar mbi nevojat dhe rrethanat reale, rezultatet e veprimtarisë së tyre sigurisht se do të jenë më të mëdha.
Shoqata e posakrijuar në SHBA, Jehona e Malësisë, ka brenda të gjitha ato elemente që i nevojiten një organizate me karakter atdhetar.
Kryetarit Vilson Sinishtaj, kryesisë dhe anëtarësisë së Shoqatës u uroj punë të mbarë dhe suksese në misionin e tyre të shenjtë, me dëshirë që gjithmonë ta potenconi bashkimin, e jo ndarjen, punën, e jo fjalët e kota, interesin e përgjithshëm, e jo atë personal.
Evenimenti i parë që organizon Shoqata Jehona e Malësisë, është më se i qëlluar dhe meriton të përkrahet fuqishëm nga komuniteti shqiptar në SHBA.
Të bashkuar jemi më të fortë!



