Nënshkruhen kontratat në mes të komunës së Mitrovicës, IADK-së dhe fermerëve

08 shtator 2021 | 17:09

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, së bashku me drejtorin e IADK-së Zenel Bunjaku, kanë nënshkruar kontratat me fermerët përfitues të projektit “Mbështetja në punësimin e të rinjve dhe grave në zonat rurale përmes zhvillimit të Bujqësisë”.

Përfitues të këtij projekti janë gjithsej 19 fermerë nga komuna e Mitrovicës, të cilët janë mbështetur me mekanizëm bujqësor, pajisje për bletari, serra, si dhe start up-biznese. 15 fermerë janë subvencionuar në shumën prej 3 mijë euro, ndërkaq 4 prej fermerëve janë mbështetur me 5 mijë euro për start-up biznese.

Kryetari Bahtiri me këtë rast ka falënderuar IADK-në dhe veçanërisht drejtorin Bunjaku për bashkëpunim të ndërsjellë dhe të frytshëm, duke thënë se projektet bashkëfinancuese mes komunës dhe IADK-së kanë ndikuar në shtimin e interesimit të fermerëve për tu marrë me bujqësi.

“Me drejtorin e IADK-së kemi pasur çdo herë bashkëpunim të mirë për të realizuar projekte të cilat janë në interes të fermerëve të komunës sonë, dhe ju uroj punë të mbarë të gjithë fermerëve përfitues, sepse njerëzit të cilët dëshirojnë të punojnë dhe të bëjnë diçka për vete dhe familjet e tyre çdoherë e kanë mbështetjen time të plotë”, ka thënë Bahtiri.

Edhe drejtori i IADK-së, Zenel Bunjaku, ka falënderuar kryetarin për përkrahjen e dhënë në realizimin e shumë projekteve në Mitrovicë, duke mbështetur me këtë projekt kryesisht fermerët të cilët janë jetojnë në zonat rurale dhe në këtë mënyrë të zhvillohet bujqësia.

Vlen të theksohet se projektet e tilla gjenerojnë të hyra për familjet e përfituesve dhe njëkohësisht janë prezentë si produkte vendore në tregun tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka…