Nënshkruhet marrëveshje 47 milionëshe për reformën në ndihmat sociale

26 tetor 2021 | 10:04

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci, kanë nënshkruar të martën marrëveshjen e financimit për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”.

Ministri Murati e ka vlerësuar lartë mbështetjen e Bankës Botërore në procesin e reformës sociale në Kosovë dhe ka theksuar se kjo marrëveshje ka një vlerë të lartë për Republikën e Kosovës duke marrë parasysh nevojën e përmirësimit të targetimit të politikave sociale drejt familjeve më në nevojë.

“Plani i Qeverisë së Kosovës i jep rëndësi të madhe programeve sociale të cilat sigurojnë që të minimizohet varfëria dhe të zvogëlohet pabarazia ekonomike në vend. Andaj, marrëveshja e nënshkruar sot siguron që targetimi i këtyre politikave të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe angazhimi i Bankës Botërore drejt këtij qëllimi është tejet i mirëseardhur”, ka thënë Murati.

Kjo marrëveshje arrin vlerën deri në 47 milionë euro, ku investimet për përforcimin e sistemeve të ofrimit të mbrojtjes sociale pritet të jenë rreth 5 milionë euro, ndërsa shuma prej më se 40 milionë eurove do të orientohet drejt përmirësimit të performancës së skemës së ndihmës sociale.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje shënon edhe zbatimin e masës 3.3 – Reformimi i Skemës së Asistencës Sociale, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se në linjë me programin qeverisës, mbetet e përkushtuar drejt dizajnimit dhe avancimit të politikave që synojnë ngritjen e mirëqenies qytetare në vend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ditëve të fundit është vërejtur një rritje e theksuar e…