Nënshkruhet memorandumi për punë praktike në ShSKUK

12 dhjetor 2017 | 20:08

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Basri Sejdiu dhe dekani i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Bujar Dugolli, kanë nënshkruar të martën një memorandum njëvjeçar të bashkëpunimit.
Sipas këtij memorandumi, ShSKUK-ja, përkatësisht Klinika e Psikiatrisë, departamentet psikiatrike në kuadër të spitaleve të përgjithshme, Qendra për Shëndet Mendor në bashkësi dhe Departamenti i Psikologjisë në UP, janë pajtuar për të identifikuar tema relevante të studimit, që mund të mundësojnë aplikime në grante ndërkombëtare të studimit dhe bashkëpunime me partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Nëpërmjet këtij memorandumi, psikiatrit, psikologët, profesorët universitarë, studentët, personeli edukativo-arsimor, mund të kontribuojnë për identifikimin e faktorëve me ndikim në shëndetin mendor dhe mund të zhvillojnë dhe pilotojnë intervenime parandaluese dhe trajtuese. Po ashtu, ShSKUK-ja do të ofrojë mundësi për praktikë për studentët e vitit të tretë të nivelit të studimeve bachelor dhe studentëve të nivelit të studimeve master të Departamentin e Psikologjisë.

Ky memorandum parasheh organizimin e ligjëratave relevante për studentë, klinicistë dhe personelin akademik në Departamentin e Psikologjisë dhe njësitë organizative të ShSKUK-së. Gjithashtu, sipas këtij memorandumi, parashihet punë praktike në njësitë organizative të ShSKUK-së, ku në Klinikën e Psikiatrisë do të pranohen katër studentë, të cilët mund të qëndrojnë maksimalisht dy muaj në punë praktike dhe, sipas nevojës, edhe në departamentet psikiatrike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vizita zyrtare e zëvendëskryeministrit të parë, njëherësh ministër i Punëve…