Nëse LV-LDK dështojnë, qeveria teknike është alternativë

19 janar 2020 | 13:51

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka kritikuar mënyrën e negocimit të Lëvizjes Vetëvendosje (LV) dhe Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK) për të arritur një marrëveshje bashkëpunimi për formimin e qeverisë.

Ai ka bërë me dije se nëse këto dy pati nuk pajtohen për bashkëqeverisje, zgjidhja më e mirë për vendin do të ishte qeveria teknike.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Nitaj ka deklaruar se kjo qeveri do ta përgatiste vendin për zgjedhje të reja pas gjashtë muajsh.

“Në rast se nuk do të ketë një marrëveshje për qeveri, unë si alternativë e shoh krijimin e një qeverie teknike, që do ta përgatiste vendin për zgjedhje të reja pas gjashtë muajsh. Ndoshta kjo është zgjidhja më e mirë për situatën e krijuar”, ka thënë Nitaj. Ai ka vlerësuar se LV-ja dhe LDK-ja kanë humbur besimin te njëra-tjetra dhe se marrëveshja është bërë gati e pamundur.

Sipas tij, edhe nëse arrihet një marrëveshje në mes tyre, ajo vështirë se do të mbahet.

“Unë kam përshtypjen se gjërat janë më serioze se kaq. Thash që palët e kanë humbur besimin në njëra-tjetrën, negociatat janë bërë të rënda. Partneriteti, mbi të gjitha, kërkon mirëbesim dhe respekt të ndërsjellë dhe këto nuk i keni vërejtur për këta 100 ditë. Unë do ta konsideroja më të ndershme një përgjigje të prerë sesa tërhiq e mos këput”, ka deklaruar Nitaj.

Nënkryetari i AAK-së ka treguar se përgjegjësia kryesore për dështim të krijimit të qeverisë së re bie mbi liderin e LV-së, Albin Kurti.

“Nesër askush nuk do të thotë se Isa Mustafa dështoi ta krijojë qeverinë, por Albin Kurti! Dhe rezultati në këto zgjedhje është i atillë që e përjashton mundësinë që i pari të mos jetë qind për qind në akord me partnerin, për gjithçka, duke përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit. Është e pakuptueshme të thuhet, unë gjysmën e marrëveshjes e bëra vet e tash po negociojmë për pjesën tjetër”, ka është shprehur ai.

Nitaj ka folur edhe për mundësinë e bashkëpunimit të AAK-së me LV-në, nëse dështojnë bisedimet me LDK-në. “Nuk kemi qëndrim fare. Nuk kemi qëndrim sepse nuk kemi ardhur në atë stad. Po u hap kjo si mundësi, sigurisht se do të diskutohet dhe do të merret një qëndrim, por me aq sa unë marr vesh është pak e besueshme që Aleanca i hyn një aventure të tillë politike!”, ka thënë Nitaj.

“Epoka e re”: Z. Nitaj, LV-ja dhe LDK-ja nuk po mund të pajtohen rreth një marrëveshje për bashkëqeverisje tash e 100 ditë. Si i keni parë këto negociata?
Nitaj: Këto kanë mundur të kenë qenë gjithçka tjetër, por jo negociata. Njerëzit e përgjegjshëm nuk negociojnë në këtë mënyrë, me takime të njëjta e pa rezultat, me deklarata “me spec” në publik dhe me letra të gjata, ku njëra palë më të rëndësishme e ka poshtërimin e palës tjetër sesa rezultatin e bisedimeve. Kam frikë se ata e kanë humbur besimin te njeri-tjetri dhe tani marrëveshja ose bëhet e pamundshme ose edhe po u arrit, ajo vështirë se do të mbahet. Ne jemi munduar të mos përzihemi as me qëndrime politike për këtë proces, por ai aq shumë u degradua sa nuk mbeti njeri imun ndaj saj! Marrëveshja për qeveri është konsideruar sfidë e lehtë dhe shikoni se sa e komplikuar është bërë. Merreni me mend kur këta do të duhet të përballen me sfida shumë më të mëdha se çfarë do të ndodhë.

“Epoka e re”: Së fundi i kemi parë edhe ofertat e fundit të LV-së dhe të LDK-së për njëra-tjetrën. Vërtet për shkak të disa posteve nuk po mund të pajtohen këto parti, apo problemi qëndron diku tjetër?
Nitaj: Unë e kam përshtypjen se gjërat janë më serioze se kaq. Thash që palët e kanë humbur besimin në njëra-tjetrën, negociatat janë bërë të rënda. Partneriteti, mbi të gjitha, kërkon mirëbesim dhe respekt të ndërsjellë dhe këto nuk i keni vërejtur për këto 100 ditë. Unë do ta konsideroja më të ndershme një përgjigje të prerë sesa tërhiq e mos këput.

 “Epoka e re”: Kush mendoni se është më shumë përgjegjës për moskrijimin e qeverisë së re?
Nitaj: Përgjegjësinë më të madhe për dështim gjithmonë e ka i pari. Ai duhet të shoh se ku i ka defektet qe s’po mund ta krijojë qeverinë. Të tjerët, në rastin konkret LDK-ja e ka komoditetin të zgjedhë nëse do ose jo ta pranojë ofertën. Nesër askush nuk do të thotë se Isa Mustafa dështoi ta krijojë qeverinë, por Albin Kurti. Dhe rezultati në këto zgjedhje është i atillë që e përjashton mundësinë që i pari të mos jetë qind për qind në pajtim me partnerin për gjithçka, duke përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit. Është e pakuptueshme të thuhet, unë gjysmën e marrëveshjes e bëra vet e tash po negociojmë për pjesën tjetër.

 “Epoka e re”: Nga analistë të ndryshëm është paralajmëruar se nëse nuk do të kemi një koalicion LV-LDK, mund të kemi një përpjekje të LV-së për të bërë një koalicion me AAK-në dhe Nismën. Cili është qëndrimi i AAK-së për këtë çështje?
Nitaj: Nuk kemi qëndrim fare. Nuk kemi qëndrim sepse nuk kemi ardhur në atë stad. Po u hap kjo si mundësi, sigurisht se do të diskutohet dhe do të merret një qëndrim, por me aq sa unë marrë vesh është pak e besueshme që Aleanca i hyn një aventure të tillë politike.

 “Epoka e re”: Nëse LV-ja nuk arrin ta formojë qeverinë e re, cila është alternativa: zgjedhje të reja apo ndonjë qeveri gjithëpërfshirëse?
Nitaj: Vlerësoj se skena politike në Kosovë duhet të rikonfigurohet. E shoh të domosdoshme krijimin e dy blloqeve të mëdha politike, sepse kështu siç jemi, gjithmonë do t’i kemi të njëjtat telashe. Le të marrim mësim nga Britania e Madhe ose ShBA-ja për shembull, ku vendet me miliona votues, përcaktohen për njërën nga dy-tre forcat politike. Kjo duhet të ndodhë edhe nëse do të këtë marrëveshje por, në rast se nuk do të ketë një marrëveshje për qeveri, unë si alternativë e shoh krijimin e një qeverie teknike, që do ta përgatiste vendin për zgjedhje të reja pas gjashtë muajsh. Ndoshta kjo është zgjidhja më e mirë për situatën e krijuar.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Naim Krasniqi, fizikan Fizika dhe kimia simetrike, udhëtim drejt…