
Nëse protestojmë, të infektuarit s’do t’i matim me qindra, por me mijëra
Dje u bënë dy muaj prej kur në Kosovë u lajmëruan rastet e para me virusin COVID-19. Për dy muaj me këtë virus u infektuan 927 qytetarë të Kosovës, nga të cilët 29 kanë vdekur, 671 janë shëruar, 11 janë të shtrirë në Klinikën Infektive në Prishtinë, kurse të tjerët janë vetizoluar në shtëpitë dhe banesat e tyre. Pavarësisht prej të vdekurve nga ky virus, të mbeturit gjallë duket se nuk po i frikësohen shumë. Madje, mbase për shkak të rritjes së numrit të personave të shëruar, qytetarët në fillim të kësaj jave nisën të dalin më shumë në ambiente të jashtme, duke u takuar me njëri-tjetrin pa i përfillur masat e Ministrisë së Shëndetësisë.
Shkaku i këtyre lehtësimeve krye në vete të qytetarëve, të martën në Prishtinë u bë edhe një provë proteste. Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, mbi 400 veta, u zgjeruan, nga dy tri metra largësi nga njëri-tjetri, në sheshin “Skënderbeu”, aty afër objektit të Qeverisë e të Kuvendit. Por, këtë provë për protestë, edhe ndonjë si kjo ose më të madhe në ditët në vazhdim, ish-eksperti i OBSh-së, Merkur Beqiri, e quan të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.
Beqiri ka dhënë një mesazh për qytetarët në këtë kohë kur gjendja me pandeminë COVID-19 vazhdon të jetë e keqe për shkak të rasteve të reja të të infektuarve. “Nëse sjellja e popullatës prej masave ekzistuese kalon në regjimin e protestave nëpër rrugë, atëherë brenda javëve nuk do t’i matim rastet me qindra, por me mijëra dhe dhjetëra mijëra”, ka deklaruar Beqiri.
Ai tha se çdo përçarje e shoqërisë, si politike ashtu edhe shoqërore, shfrytëzohet nga virusi për të hyrë në mesin tonë. “Mjafton një person ta nisë një pandemi, pastaj nevojiten të gjithë të tjerët për ta ndalë atë. Sa i përket natyrës së virusit, një person infekton 3 deri në 13 persona, nëse ia hapim rrugën pastaj infektimi vazhdon tutje te të tjerët”, ka thënë Beqiri.
(B. D.: ‘Epoka e re’)