
Nesër fillon Evropiani i Esports në Kosovë, Serbia nuk merr pjesë
Nga 9 deri më 13 korrik në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë do të mbahet edicioni i radhës i Kampionatit Evropian të Esports, një prej ngjarjeve më të mëdha në sportet elektronike në kontinent. 36 ekipe nga 25 shtete të Evropës do të marrin pjesë në këtë kampionat dhe do të garojnë në tri disiplina: CS2, CS2 Women dhe Dota2. Kosova jo vetëm që do të jetë mikpritëse e kësaj gare madhore, por edhe do të përfaqësohet me ekipin e saj kombëtar në të tri kategoritë.
Zëvendësministrja në detyrë e Ministrisë së Sportit, Daulina Osmani, theksoi se organizimi i kësaj ngjarje është dëshmi e përkushtimit ndaj të rinjve për t’ua dhënë atyre rastin që të dëshmohen para botës edhe në lojëra elektronike, gjithashtu edhe hap dyert për të rinjtë e botës që të vijnë në Kosovë. “Për Kosovën kampionati është shumë më shumë se një garë sportive, është dëshmi konkrete e vizionit tonë për ta bërë Kosovën qendër të inovacionit dhe sportit… Këtë organizim e kemi mbështetur së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ku përmes ngjarjeve si kjo po investojmë në prezantim të kapacitetit të të rinjve tanë që i kemi në arenën ndërkombëtare, njëkohësisht po i hapim dyert e shtetit tonë për të rinjtë nga Evropa dhe po ua hapim mundësinë që të vijnë e ta shohin një Kosovë dinamike dhe inovative”, ka thënë Osmani.
Ajo gjithashtu bëri me dije se në këtë kampionat evropian nuk do të marrë pjesë Serbia e cila është tërhequr në çastet e fundit dhe, sipas Osmanit, Kosova kishte përgatitur ambient të përshtatshëm dhe të barabartë për të gjithë. Sipas Osmanit, sportistët nga Serbia ishin të gatshëm të vinin në Kosovë, por vendimi për mospjesëmarrje ishte krejtësisht politik. “Nga 25 shtete të konfirmuara paraprakisht për pjesëmarrje në këtë kampionat, sot realisht i kemi vetëm 24 shtete për shkak të tërheqjes të reprezentacionit të Serbisë nga pjesëmarrja në kampionat në momentet e fundit… Republika e Kosovës ka garantuar mjedis të barabartë dhe të sigurt për të gjitha shtetet dhe për të gjithë sportistët. Nga perspektiva e sportistit është për të ardhur keq që institucionet shtetërore të Serbisë nuk i lejojnë sportistët e tyre të vijnë dhe të marrin pjesë në garën më të madhe të Esports. Edhe pse vetë sportistët kanë qenë të gatshëm të vijën të garojnë, janë pikërisht vet institucionet e tyre ato të cilat edhe i penguan që të jenë pjesëmarrës. Pra ky nuk ka qenë vendim sportiv, është e kundërta, ka qenë vendim tipik politik i politikave shtetërore të Serbisë”, ka shtuar Osmani.
Sekretari përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Esports (IESF), Boban Totovski, ka thënë se vendimi i Serbisë është çështje e brendshme e tyre dhe se ata nuk e detyrojnë askënd me forcë të marrë pjesë në gara. “Shoqata e Sportit e Serbisë ka vendosur të tërheqë atletët e regjistruar dhe të kualifikuar dhe të mos marrin pjesë në këtë event, për arsye të brendshme ata nuk treguan më tej. Ne sigurisht nuk mund t’i kërkojmë me forcë askujt të marrë pjesë, ne po mundohemi të ndajmë esportin nga politika por për fat të keq në kohën të cilën jetojmë, jo vetëm luftërat por edhe konfliktet politike që po ndodhin, po bëhet shumë e më shumë e komplikuar të bëjmë këtë ndarje në evente specifike”.
Ky kampionat organizohet nga Federata Esports Kosova me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.