Nesër Kuvendi shënon Ditën e Demokracisë
14 shtator 2022
| 19:11
Nën ombrellën e Forumit për Transparencë Parlamentare, të enjten, më 15 shtator, Kuvendi i Republikës së Kosovës shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Në orën 10:00 hapen dyert për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të vizitojnë institucionin e tyre përfaqësues.
Në ceremoninë e hapjes, një fjalë rasti do të mbajë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Po ashtu të pranishmëve do t’u adresohen edhe drejtorja e NDI-së për Kosovë, Nancy Soderberg dhe koordinatorja e Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Arnhild Spence.
Në kuadër të shënimit të kësaj dite do të mbahet edhe panairi i shoqërisë civile, garë shahu nga persona të verbër, debate dhe aktivitete të tjera që afirmojnë demokracinë.



