Nesër votohet në 29 përfaqësitë diplomatike të Kosovës në 18 shtete

26 dhjetor 2025 | 11:35

Nesër, më 27 dhjetor, do të zhvillohet procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës në 29 përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës.

Procesi i votimit do të nisë në orën 07:00 të mëngjesit në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll, e cila do të jetë përfaqësia e parë diplomatike që hap dyert për votim, ku janë të regjistruar paraprakisht 116 votues.

Pas Turqisë, votimi do të vazhdojë në 15 shtete të Evropës, ku janë të regjistruar gjithsej 17 mijë e 761 votues, përfshirë Gjermaninë, Zvicrën, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Belgjikën, Norvegjinë, Austrinë, Suedinë, Slloveninë, Danimarkën, Italinë, Kroacinë, Holandën, Republikën Çeke dhe Hungarinë.

Në fund, procesi i votimit do të zhvillohet edhe në kontinentin amerikan, për 1 mijë e 310 votues të regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Për këtë qëllim, do të hapen përfaqësitë diplomatike në Uashington, Nju Jork, Otavë dhe Toronto.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka deklaruar për “Kosovapress” se për votimin në përfaqësi diplomatike janë organizuar gjithsej 40 vendvotime.

“Më 27 dhjetor, procesi i votimit në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës do të zhvillohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës. Nga 77,086 votuesit jashtë Kosovës, të drejtë vote në këto përfaqësi diplomatike kanë vetëm 19,187 shtetas të Kosovës, të cilët janë regjistruar paraprakisht dhe kanë përzgjedhur votimin fizik në këto 29 misione. Materialet zgjedhore janë dërguar në këto përfaqësi dhe ato janë gati për votuesit”, ka thënë Elezi.

Ai ka bërë me dije se në të njëjtën kohë kur përfundon votimi në përfaqësi diplomatike, do të përmbyllet edhe procesi i votimit përmes postës, i cili ka nisur rreth dy javë më parë. Të gjitha votat e grumbulluara do të dërgohen në Kosovë për t’u numëruar.

“Para ditës së zgjedhjeve në Kosovë do të përfundojë edhe votimi jashtë vendit për rreth 57 mijë e 899 votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës, proces i cili ka nisur më 16 dhjetor. Të gjithë këta votues, kanë pasur kohë 12 ditë që pakon me fletëvotim, të cilën e kanë pranuar nga KQZ, ta dërgojnë në ndonjërën nga kutitë postare të hapura në 23 shtete të ndryshme të botës, përfshirë dhe Kosovën.  Fletëvotimet që i takojnë votimit në përfaqësi diplomatike dhe votimit me postë, do të tërhiqen dhe numërimi i tyre do të bëhet në Kosovë”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, është detyrim ligjor i KQZ-së që të gjithë shtetasit e Kosovës të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit të largohen nga Lista e Votuesve brenda Kosovës, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.

Ndërkaq, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, por që nuk janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, mbesin në Listën e Votuesve brenda Kosovës dhe mund të votojnë në vendvotimin e tyre, nëse ndodhen fizikisht në Kosovë në ditën e zgjedhjeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e tij të…