Nexhmije Pagarusha pranon vendimin për statusin e qytetares me merita të veçanta

30 nëntor 2018 | 15:58

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar të premten këngëtaren Nexhmije Pagarusha.

Pas propozimit të ministrit Gashi, Qeveria e Kosovës muajin e kaluar mori vendim që këngëtares Nexhmije Pagarusha t’i njihet statusi i qytetares me merita të veçanta për shkak të kontributit të saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe. Këtë vendim ministri Gashi ia dorëzoi sot këngëtares Nexhmije Pagarusha gjatë vizitës që i bëri në banesën e saj.

Me këtë rast, ministri Gashi ka shprehur falënderim të veçantë për Pagarushën. “Bilbili i këngës shqipe Nexhmije Pagarusha ka dhënë kontribut të madh në përçimin e vlerave dhe traditave të vendit tonë me pjesëmarrjen e saj në festivale e skena të njohura ndërkombëtare”, ka thënë Gashi.

Po ashtu ai ka njoftuar se nga muaji i kaluar Nexhmije Pagarusha kanë filluar t’i transferohen mjetet në baza mujore.

Ministri u zotua që do të vazhdojë ta ndihmojë krijimtarinë e saj artistike duke ia bërë monografinë dhe njëkohësisht edhe kompleksin në Pagarushë, pikërisht afër shtëpisë së saj.
Ndërkaq këngëtarja Nexhmije Pagarusha ka falënderuar ministrin për kujdesin e tij në vazhdimësi ndaj saj dhe për iniciativën e marrë për mbështetje financiare.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Arbër Zeneli është…