Nga akuzat për “mafinë e betonit” te dorëheqja – historia e përplasjeve mes Aliut e Bashës

27 gusht 2025 | 15:47

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, një nga themeluesit e Vetëvendosjes, ka dhënë sot dorëheqje nga posti i tij. Arsyeja, sipas tij, është zgjedhja e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës.

Ironikisht, në të njëjtin institucion ku Basha dje u zgjodh kryetar, disa kohë më parë kishte shpërthyer një përplasje e ashpër mes tij dhe Aliut. Shkak ishte ligji për ndërtimet pa leje, ku Basha e kishte akuzuar Aliun për mbrojtjen e “mafisë së betonit”.

“Puna kryesore e këtij ligji, unë mendoj që ky ligj e bën amnistimin e atyre keqpërdoruesve që shpesh herë janë quajtur ‘mafia e betonit’, por gjithashtu amnistimi i zyrtarëve publik që kanë lejuar degradim. Krejt ata investitor që se kanë respektu asnjë kriter por kanë betonuar dhe nuk kemi asnjë centimetër hapësirë të gjelbër, ata jo vetëm që nuk dënohen por legalizohen dhe inkurajohen që të vazhdojnë. Pse me marr leje në ndërtim e me pagu pesë euro kur ndërton me leje, po duke qenë me ndërtu pa leje dhe me shku me legalizu me dy euro”, kishte deklaruar në Kuvend deputeti Dimal Basha.

“Ligji thotë që qytetarët të aplikojnë për legalizim, por ata i kanë blerë ato banesa. Është investitori që duhet të mbahet përgjegjës. Duhet ndjekur ligjërisht dhe t’i kërkohet llogari për vlerën e shitjes”, kishte shtuar ai.

Në sallë pati reaguar menjëherë edhe Liburn Aliu, i cili i ktheu me tone të ashpra.

“E para po filloj nga çështja a ka ndryshuar Liburni. Ky ligj në leximin e parë është votu nga Lëvizja Vetëvendosje. Në leximin e dytë, as LVV e LDK nuk e ka votu, për shkak se e ka bojkotuar asokohe PAN-in. Prandaj kur të folni, thuajeni të vërtetën e saktë. Unë kërkoj prej deputetit Basha, po ta përmendi emrin që me mujtë me repliku. Pra ju sapo thatë që Liburni ka deklaruar ndryshe, e po deklaron sot ndryshe. Atë ditë kam deklaru njëjtë sikurse sot, pra viti 2018, njëjtë e deklaroj edhe sot. Projektligj i padrejtë, por i domosdoshëm”, ishte përgjigjja e ministrit Aliu.

Dorëheqja e tij nga posti erdhi në një moment të tensionuar brenda Vetëvendosjes, ku pakënaqësitë janë bërë tashmë të dukshme. Në njoftimin e publikuar në rrjete sociale, Aliu tha:

“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorezova te Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim. Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësihë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”.

Në radhët e Vetëvendosjes, Aliu prej kohësh shihej më pak i afërt me qendrën e partisë. Edhe në seancën e djeshme, reagimet dhe mimikat e deputetëve treguan mungesë entuziazmi ndaj zgjedhjes së Bashës si kryetar i Kuvendit.

Megjithatë, Aliu mbeti një figurë me peshë brenda partisë, si një nga themeluesit e saj. Ai, së bashku me Albin Kurtin e Glauk Konjufcën, kishte qenë pjesë e organizatës KAN, që më vonë u shndërrua në Vetëvendosje.

“Nga viti 2002 ka qenë ideja e konceptit të vetëvendosjes”, kishte kujtuar ai në një intervistë për emisionin DPT në T7.

“Ka qenë koncept që të e kemi pasur në të kaluarën. Kur u pata arrestuar në vitin 1997 pata thënë para gjykatësit serb se dua vetëvendojse për popullin tim. Ideja e vetëvendosjes ka qenë ajo e cila ka ndërtuar politikisht, pasi që na imponohej kjo ideja e standarteve. Na thonin plotësoni standartet që të mund të uleni në tavolinë me Serbinë, e pastaj të flitej për ndonjë status pa na pyetur ne a dëshirojmë pavarësi, bashkim me Shqipërinë apo tjetër çka”, kishte deklaruar ai.

Aliu kujtonte se shumë prej aktivistëve të parë të VV-së kishin lënë punët e tyre për t’iu përkushtuar organizatës:

“Shumica prej nesh i lanë edhe punët e tyre për tu marrë me organizatën. Nuk kishim fare donacione, ishim të limituar. Kujtoj se na ndihmonin edhe të blinim sprejin. Unë kisha fatin se gruaja punonte, dhe i tregova asaj se dëshiroja të angazhohem intensivisht me organizatën, dhe fatmirësisht ajo u pajtua me mua”.

Pas dorëheqjes së tij, ndaj Aliut kanë filluar kritikat dhe sulmet nga përkrahësit e Vetëvendosjes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi italian AS Roma, nuk e ka pritur “përjetësisht” Jadon…