Nga Amerika për Pejën, 13-shja e PDK-së: Ta kthejmë Pejën në një model frymëzimi
Kandidatja për asambliste e PDK-së në Pejë, Dr. Antigona Gashi, me numër 13, ka thënë sot, më shumë se kurrë më parë, Peja ka nevojë të rikthehet si shtëpia e vërtetë për të gjithë qytetarët e saj – një vend ku secili ndihet i përfshirë, i respektuar dhe me mundësi të barabarta për të ndërtuar të ardhmen.
“Peja duhet të bëhet një qytet me zhvillim të qëndrueshëm, investime strategjike dhe një ambient që nxit dinjitetin njerëzor. Vetëm përmes punës së përbashkët dhe përkushtimit ndaj vlerave tona të përbashkëta mund ta kthejmë Pejën në një model frymëzimi, ku ekonomia rritet, infrastruktura përmirësohet dhe komuniteti bashkohet më fort se kurrë më parë”, ka shkruar në “Facebook” Gashi.
Dr. Antigona Gashi është shqiptaro-amerikane e lindur në Pejë dhe mbështetëse e Lidhjes Shqiptaro-Amerikane (AACL).
Pas 30 vitesh në SHBA, është rikthyer për të kontribuar në vendlindje dhe kandidon për Asamblenë e Kuvendit Komunal të Pejës me numër 13.
Ajo ka përfunduar studimet në SHBA duke arritur titullin Doktor i Lidershipit Ekzekutiv dhe Drejtësisë (2023), si dhe tre diploma të tjera në drejtësi penale, lidership dhe administrim biznesi.
Dr. Gashi synon të sjellë metodologjinë politike amerikane, duke vendosur në qendër interesin publik.
Mesazhi i saj kryesor është: “Çdo fëmijë meriton arsim cilësor dhe çdo qytetar shëndetësi dinjitoze. Do të punoj që shkollat dhe spitalet tona të jenë shtylla e një shoqërie të fortë.”



