Nga arratia në ndalim: kërcënimi me armë ndaj policëve merr epilog në Gjakovë, Liridon Podrimja përfundon në pranga
Një incident jashtëzakonisht serioz ishte regjistruar në fund të janarit në Gjakovë, ku një person dyshohet se ka kërcënuar drejtpërdrejt zyrtarët policorë me armë zjarri dhe granatë dore, gjatë një ndalimi rutinë në trafik.
Ngjarja ka ndodhur më 25.01.2026 rreth orës 16:20, në rrugën “Skënderbeu”, ku patrulla policore kishte ndaluar një veturë BMW X5 për kundërvajtje trafiku.
Burimet e besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se pasi zyrtarët policorë i kanë komunikuar shoferit se do t’i shqiptohej tiketë, i dyshuari Lirodon Podrimja rreth 37 vjeç ka dalë nga vetura dhe ka filluar t’i kanosë katër zyrtarët policorë.
Situata ka eskaluar kur policia ka tentuar ta prangosë – i dyshuari ka rezistuar, është shkëputur nga zyrtarët dhe nga çanta e krahut ka nxjerrë një pistoletë, ka futur fishekun në tytë dhe e ka drejtuar armën nga policët duke bërtitur:
“Ju vraj, ju vraj”.
Më pas, sipas policisë, ai ka nxjerrë edhe një granatë dore, i ka hequr siguresën dhe ka vazhduar kërcënimet, për t’u larguar më pas me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Në koordinim me Prokurorin kujdestar, policia ka realizuar bastisje në shtëpinë dhe lokalin e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar:
– 4 fishekë
– rreth 2 gram marihuanë
– tri peshore digjitale
– një mulli për bluarjen e marihuanës
I dyshuari ishte në arrati deri më 23.02.2026 rreth orës 17:30, kur është paraqitur vetë në Stacionin Policor në Gjakovë – duke mbajtur me vete edhe një granatë dore.
Njësia për deminim (IEDD) është angazhuar menjëherë dhe rreth orës 21:30 ka kryer shpërthimin e kontrolluar të granatës në oborrin e DRP-së në Gjakovë, pa shkaktuar dëme materiale apo pasoja tjera.
Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar për veprat penale:
– Kanosje
– Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve
– Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge
Hetimet janë duke vazhduar.



