Nga hantavirusi te norovirusi, pse anijet turistike janë një ‘makth për shpërthimin e epidemive

11 maj 2026 | 20:33

Pas rasteve të infektimit me hantavirus në bordin e anijes turistike “MV Hondius”, në qendër të vëmendjes është tema e kroçerave dhe pse këto ambiente janë të favorshme për përhapjen e sëmundjeve infektive. Një nga epidemitë më të zakonshme të raportuara në anijet turistike është ajo e norovirusit, i njohur ndryshe edhe si “virusi i kroçerave”, për shkak të përhapjes së lehtë në këto ambiente të mbyllura. Virusi shkakton të përziera, të vjella, diarre dhe dhimbje abdominale.

Vetëm që nga fillimi i këtij viti janë regjistruar pesë shpërthime norovirusi nëpër botë. Më 7 maj, në një anije të kompanisë Caribbean, u infektuan 102 nga 3.116 pasagjerë dhe 13 anëtarë të ekuipazhit. Ndërsa më 13 mars, në anijen “Star Princess”, një tjetër epidemi preku 104 pasagjerë dhe 49 punonjës të ekuipazhit. Ekspertët shpjegojnë se anijet turistike, megjithëse duken ambiente të izoluara dhe të kontrolluara, mund të kthehen shumë shpejt në ekosisteme epidemiologjikisht delicate. Arsyeja? Kemi të bëjmë me një densitet i lartë njerëzish, bashkëjetesë e zgjatur, pasagjerë nga e gjithë bota dhe shpesh një popullsi më e moshuar apo më e brishtë.

Epidemitë në kroçera rregullohen nga protokolle ndërkombëtare të përcaktuara kryesisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Organizata Ndërkombëtare Detare. Rregullat parashikojnë mbikëqyrje epidemiologjike, raportim të menjëhershëm të rasteve të dyshuara, izolim, karantinë, gjurmim kontaktesh dhe dezinfektim të ambienteve. Virologu Fabrizio Pregliasco, drejtor i Shkollës së Specializimit në Higjienë dhe Mjekësi Parandaluese në Universitetin Shtetëror të Milanos, shpjegon për Corriere della Sera pse kroçerat përbëjnë një rast të veçantë në menaxhimin e rreziqeve shëndetësore.

“Rreziku ekziston patjetër. Është një ambient i mbyllur me afërsi të madhe mes njerëzve dhe me shumë shërbime të përbashkëta. Mjafton të mendosh për një helmim ushqimor: në një anije ai mund të përhapet shumë lehtë”, thotë ai.
Sipas virologut, një anije turistike funksionon si “një qytet i vogël lundrues”, ku njerëzit takohen vazhdimisht për ditë të tëra në restorante, teatro, pishina dhe ambiente të tjera të përbashkëta.

“Në jetën normale mund të takosh dikë vetëm një herë në metro. Në kroçerë e takon sot, nesër, pasnesër, në mëngjes dhe në darkë. Intensiteti dhe frekuenca e kontakteve e rrisin në mënyrë të pashmangshme rrezikun”, shpjegon ai.

Pregliasco ndalet veçanërisht te helmimet ushqimore dhe problemet e higjienës në anije.
“Ka situata të përsëritura me norovirus. Pastaj ekziston edhe çështja e higjienës së përgjithshme: furnizimi ushqimor apo mënyra e manipulimit të ushqimit mund të krijojnë probleme serioze”, thotë ai.

Sipas ekspertit, një tjetër vështirësi është fakti që simptomat fillestare të shumë infeksioneve janë të zakonshme dhe mund të nënvlerësohen lehtë.

“Shpesh fillon me temperaturë, shqetësime gastrointestinale apo gjendje jo të mirë. Simptoma që mund të duken si grip i zakonshëm”, thotë ai.

Një tjetër faktor rreziku janë pasagjerët nga vende të ndryshme të botës, që sjellin viruse edhe jashtë sezonit normal.

“Shikojmë epidemi gripi në periudha të pazakonta për Europën, sepse njerëzit vijnë nga kontinente të ndryshme, si Australia ku stinët janë të kundërta me tonat”, shpjegon virologu.

Ai thekson gjithashtu se kroçerat frekuentohen shpesh nga persona të moshuar ose me probleme shëndetësore, çka i bën pasojat potencialisht më të rënda. Megjithatë, Pregliasco nënvizon se protokollet ekzistojnë dhe kompanitë detare duhet t’i zbatojnë me rigorozitet.

“Duhet mbikëqyrje, kontrolle dhe komunikim transparent nga kompanitë”, thotë ai.

Mesazhi i tij për udhëtarët mbetet i qartë.
“Rreziku ekziston dhe duhet të ruajmë ato sjellje kujdesi për shëndetin që na i mësoi Covid-i: përgatitje para udhëtimit, vaksinime kur duhen dhe kujdes gjatë gjithë kohës”, përfundon virologu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu,…