Nga Kosova në boksin profesionist, talenti Rigon Demaku nis një kapitull të ri në karrierën e tij
Boksieri i talentuar nga Kosova, Rigon Demaku, është gati të bëjë hapin e madh në karrierën e tij sportive, duke debutuar në boksin profesionist më 21 nëntor 2026, në Ingolstadt të Gjermanisë.
Me një histori të mbushur me sakrifica, disiplinë dhe përkushtim, Demaku synon të dëshmojë potencialin e tij edhe në arenën profesioniste, pas sukseseve të arritura në boksin amator dhe kickboks.
Rrugëtimi i tij në sportin e boksit nisi në moshën 14-vjeçare. Edhe pse, siç e pranon vetë, në fillim nuk ishte domosdoshmërisht më i talentuari apo më i forti, ai kishte një armë të fuqishme: vullnetin për të mos u dorëzuar.
Përmes stërvitjeve intensive dhe përkushtimit të vazhdueshëm, Demaku arriti të fitojë disa turne, të shpallet dy herë kampion nacional në boks dhe të rrëmbejë edhe titullin e kampionit nacional në kickboks.
Megjithatë, rruga drejt suksesit nuk ishte pa pengesa. Për dy vite, ai u detyrua të qëndronte larg ringut dhe garave, një periudhë që, sipas tij, vetëm sa ia forcoi dëshirën për t’u rikthyer.
“Ndoshta nuk isha më i talentuari apo më i forti, por kisha diçka që nuk blihet me para: vullnetin, disiplinën dhe dëshirën për të mos u dorëzuar kurrë”, shprehet Demaku, duke kujtuar fillimet e tij.
Tashmë, sfida e radhës është debutimi në boksin profesionist, një moment i rëndësishëm për sportistin kosovar, i cili dëshiron që puna dhe sakrificat e viteve të fundit të pasqyrohen në ring.
“Pas çdo sakrifice, çdo vështirësie dhe çdo dite stërvitjeje, ka ardhur koha që puna ime të flasë në ring. Ky është vetëm fillimi!”, ka deklaruar Demaku.
Sonte në Ingolstadt të Gjermanisë, Demaku pritet të ngjitet në ring.



