Nga lufta për liri, në betejën për drejtësi

11 qershor 2025 | 15:38

Shkruan: Hanife Salihu

Sot, kur po festojmë çlirimin e Kosovës dhe të qytetit tim, Ferizaj, mendja më kthehet pas në retrospektivë. Më përshkojnë trupin ndjesi të forta, të pashpjegueshme -si ato të asaj dite të paharrueshme të vitit 1999. Ishte një ditë që ende, edhe pas kaq shumë vitesh, duket si një ëndërr, një realitet i pabesueshëm që u bë i mundur falë përpjekjeve të panumërta, sakrificave të dhimbshme, e në fund, falë luftës çlirimtare. Ishte një rrugëtim i gjatë dhe i mundimshëm, i mbushur me dhimbje, me lot, me përballje të rënda, por i udhëhequr nga shpresa e pathyeshme për liri.
Sot, kur përkujtojmë atë ditë të madhe, pyes veten: çfarë kemi bërë me lirinë që e fituam me aq mund?
A është kjo Kosova për të cilën dhanë jetën më të mirët tanë?
Çfarë po i ofrojmë brezit të ri përveç një realiteti të zymtë, me drejtësi të varrosur, me të vërtetën të deformuar, e me shpresën gjithnjë e më të zbehtë?
A do ta pranojnë brezat që vijnë këtë status quo, këtë stagnim shpirtëror e shoqëror që po e gërryen vendin tonë dita-ditës?
A do ta kishim menduar ndonjëherë se pas gjithë atij gjaku të derdhur do të katandiseshim këtu – në një shoqëri ku secili mundohet të tregojë veten më të “mençur” e më të “rëndësishëm” se tjetri, ndërsa ideali i përbashkët tretet nën hijen e egoizmit dhe interesave të ngushta personale?
A do ta besonim se një ditë çlirimtarët tanë, ata që dolën ballë për ballë me armikun, do të ishin të mbyllur nëpër burgje, jo për krime, por sepse guxuan të luftojnë për atdheun, e të dënohen, jo nga armiqtë e djeshëm, por nga “shqiptarët” e sotëm, që për kolltukë e për xhepa të trashur shkelin mbi nderin e kombit?
Sot, në këtë ditë feste, nuk mund të mos ndiej dhimbje për këtë padrejtësi të thellë.
Çlirimtarët në bankën e të akuzuarve, të njollosur padrejtësisht, ndërsa të tjerët – ata që u strukën në kohën e luftës dhe sot mburren me “kontributet” e tyre fiktive .
A është kjo drejtësia për të cilën u flijuan bijtë më të mirë të këtij vendi?
A është ky shteti për të cilin u derdh gjaku në çdo cep të Kosovës?
Kosovë e bekuar, qyteti im i dashur, Ferizaj i qëndresës dhe krenarisë – festoni këtë ditë me dinjitet, sepse historia nuk harrohet.
Ti gjithmonë ke pasur bij e bija që të deshën më shumë se jetën e tyre.
Ti ke qenë motivi i tyre, ëndrra e tyre, shpresa e tyre.
Në çdo rrugë të djegur, në çdo shtëpi të shkatërruar, në çdo nënë që vajtoi fëmijët e saj, është e shkruar historia jote e lavdishme.
Njerëzit shkojnë e vijnë, por t’i do të mbetesh.
Kosova do të jetojë përmes kujtimeve të brezave që do të vijnë, përmes këngëve të lirisë, përmes legjendave që malet do të pëshpëritin në netët e qeta.
Ushtima e atyre maleve do të tregojë heroizmin e djemve e vajzave që luftuan, jo për famë, por për liri. Jo për pushtet, por për drejtësi.
Lavdi të përjetshme të gjithë atyre që dhanë gjithçka për këtë ditë.
E ne, le të bëhemi të denjë për atë sakrificë.
Le ta ruajmë këtë liri me kujdes, me vetëdije e me veprim.
Sepse liria pa drejtësi, është veçse një kujtim i hidhur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tifozat Kuq e Zi kanë akuzuar Federatën Shqiptare të Futbollit…