Nga marsi i madh i 1981-shit, Lëvizja Paqësore Çlirimtare u ngrit në një shkallë më të lartë

11 mars 2021 | 11:10

Përsiatje politike / TRIADA E KOSOVËS (3)

Shkruan: Bedri Islami

Në Lidhjen Komuniste të Serbisë shkohej edhe më tej, duke gjetur një fajtor të dyfishtë: Tiranën zyrtare dhe një pjesë të udhëheqjes kosovare, e cila i kishte vënë bartësit e ngjarjeve të vitit 1981 në postet kryesore të institucioneve arsimore, shkencore e kulturore, çfarë, gjithnjë sipas qëndrimit zyrtar të politikës së lartë serbe, kishte ndikuar në “indokriminimin e rinisë në frymën e nacionalizmit dhe të irredentizmit shqiptar”.

Për Lidhjen Komuniste të Kosovës plaga ishte e llahtarshme. Ajo që kishte ndodhur, për ata, ishte një lemeri e vërtetë. Duhej të fillonte një hetim i gjerë e duheshin gjetur me çdo kusht shkaqet e kryengritjes dhe burimi i tyre në Tiranën zyrtare por, më parë, ishte e domosdoshme të vendosej kordoni i ndëshkimit.

Do të fillojë një kalvar i pafund mbledhjesh, rezolutash, përjashtimesh, ndëshkimesh, dëbimesh, represioni në të gjithë piramidën e institucioneve të shtetit. E pamëshirshme do të ishte goditja ndaj bartësve të mendimit për Republikën e Kosovës, megjithëse këto të rinj të dënuar, të etur për dije, ëndërrimtarë të mëdhenj, lexues të pasionuar, dhe që synonin të bartnin një vizion që ishte shumë i madh për supet e tyre, të lënduar nga heshtja, synues të ngrinin një botë ndryshe, shpeshherë nuk kishin qenë të vetëdijshëm për peshën e asaj që kishte ndodhur, pasi e kishin quajtur gjithçka të natyrshme, njerëzore dhe të domosdoshme. Kur ata kishin thirrur se, “Trepça punon, Beogradi pasurohet” ndoshta nuk kishin qenë deri në fund të vetëdijesuar se po shpallnin pabarazinë e ndodhur kundër asaj që kishte trumbetuar pushteti dhe, ndërsa zëri i tyre ende i njomë dukej se nuk do të lëvizte as pragjet e shtëpive, në fakt kishte tundur themelet e një republike fantazmë, krijuar në kabinete, mbajtur me dhunë dhe që do të përfundonte përgjakshëm, aty ku nisi shthurja e saj – në Kosovë.

Është e pabesueshme sa përdhunshëm u soll ndaj tyre klasa politike dhe Lidhja Komuniste e Kosovës, një filial i politikës së Lidhjes Komuniste të Serbisë.

Adem Demaçi ka thënë: Mendoj se kërkesat e kryengritësve paqësorë kanë qenë në pajtim me mundësitë dhe rrethanat kombëtare e ndërkombëtare të asaj kohe. Që nga Kryengritja paqësore e nëntorit 1968 në Kosovë, Lëvizja Çlirimtare, përsëri, kishte kaluar në ilegalitet. Por nga marsi i madh i 1981-shit, Lëvizja paqësore çlirimtare u ngrit në një shkallë më të lartë, mori rrugët e qyteteve tona. Dhuna e egër e regjimit çetnik, në vend se të gulfonte kryengritjen, i dha zjarr edhe më të madh dhe e bëri që ajo të masivizohej edhe më shumë. As burgosjet, as vrasjet nuk dhanë rezultate. Policia serbe u gjet e pafuqishme para furisë së masave të elektrizuara… Ajo kërkesë shprehte nivelin e vetëdijes dhe nivelin e organizimit tonë në atë kohë dhe rrethanat kombëtare e ndërkombëtare të asaj kohe. Sikur kryengritja paqësore e 1981-shit të kishte ndodhur më 1974, kur duhej të ndryshohej kushtetuta, kur Kosovën Republikë e patën përkrahur madje edhe Katerina Paternogiq-Cica, Milija Kovaçeviq, Smajo Jusufi e Rezak Shala e derisa ekuilibristi Tito ende ishte gjallë, Kosova do të arrinte të barazohej me republikat tjera të Jugosllavisë. Dhe kjo do të ishte një fitore e rëndësishme në rrugën tonë drejt lirisë së plotë. Por Fadil Hoxha dhe garnitura gjakovare në pushtet nuk e vlerësuan situatën drejt. Kësaj garniture rehatia e gjatë ia kishte thyer tehun e gatishmërisë për sakrificë. Ajo u përcaktua për rehatinë e vet duke menduar se kjo rehati do të zgjaste deri në infinit dhe prandaj flaku tej interesin e përgjithshëm…

Më 4 prill 1981 do të mblidhet me urgjencë Komiteti Krahinor i LKK-së. Është një mbledhje e tensionuar, ndoshta nga më të tensionuarat që nga koha e rankoviqizmit, në një sallë të mbyllur, ku zërat kundër dhunës janë aq të paktë dhe të heshtur, saqë nuk ndjehen fare.

Prej kohe në Kosovë është instaluar një klasë politike që i kishte fillimet e jetës së tyre politike në Shqipëri. Disa nga më të njohurit e tyre, si Fadil Hoxha apo Veli Deva janë të dërguarit e parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë , posaçërisht nga vetë Enver Hoxha, drejt Kosovës, për të organizuar aty, së bashku me Hajdar Dushin, Xheladin Hanën, Emin Durakun luftën antifashiste nacional çlirimtare. Si të rinj, ata ishin pjesë e një bote vizionare, që, për më tepër, kishte pasur të njëjtën ëndërr si të rinjtë e vitit 1981, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Tani, si drejtues politikë, thuajse 40 vjet pas vizionit të tyre të parë, gjithçka ka ndryshuar. Veli Deva, i cili çuditërisht është një ndër folësit kryesorë në varrimin e heroit shqiptar, Qemal Stafa, në maj 1942, thuajse 40 vjet më pas miraton vrasjet e burgimet.

Veli Deva, i njëjti si emër,  i ndryshëm në frymë, udhëheqës i lartë i Kosovës në Mbledhjen e 86-të Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, e mbajtur më 4 prill 1981, ka thënë: “Pushteti popullor kurrë nuk është rrezikuar më shumë dhe nuk është luhatur nga një aktivitet më i madh armiqësor sesa që ishte ky aktivitet”.

Kurse Kolë Shiroka, koleg i tij, ndërkohë njëri ndër më agresivët kundër demonstruesve, i verbër në gjykimin e tij,ndaj edhe dritëshkurtër në mendim, po në këtë mbledhje pranonte: “Pra, planifikimi ka qenë i gjatë dhe kemi të bëjmë me një organizim dhe organizatë më të organizuar sesa organizata jonë”.

Idetë e përgjithshme janë të urryera nga idetë e pjesshme; këtu qëndron edhe vetë lufta e përparimit. Vizioni i hapur e çon shpirtin tek idetë e përgjithshme; mendjet e mbyllura pjellin ide shtatanike. Vizioni nuk është i njëjtë kur atë e lind vuajtja, ose kur e pjellin ujërat e ndenjura të mendimit. Është interesante, bartësit e kryengritjes së vitit 1981 kanë si simbol malin, pushtetarët politikë të vitit 1981 kanë si simbol pyllin. Në bartësit, dënimi i të cilëve sapo ka filluar, gjithçka është vizionare. Te pushteti errësira e vetmisë ka mbuluar shpirtin.

Këto njerëz janë thirrur për të dënuar pikërisht atë që kishin ëndërruar kur kishin qenë të rinj. Po dënonin në perëndimin e jetës së tyre, pikërisht atë që kishin pasur ëndërr në agun e rinisë.

Në fakt ishte një përplasje mes dy koncepteve: Krahinë dhe Atdhe. Pushtetarët ishin për Krahinën, kryengritësit për Atdheun. Është lufta e ideve lokale kundër ideve universale; janë zemrat e mëdha kundër mendjeve të ngushta.

Qindra arrestime ndodhin në krejt pak ditë. Askush nuk është më i sigurt. Mes të arrestuarve të parë është një emër i njohur, Ukshin Hoti. Fillon kalvari i arrestimeve të tij, që, në fakt, simbolizon arrestimin e mendjes së ndritur prej errësirës. Çdo natë thyhen dyer dhe drejt burgjeve tani nuk shkohet më fillikat, por në grupe. Qelitë e tejmbushura, shumica djem e vajza të reja. E megjithatë, garnitura e vjetër kërkon përsëri gjakime të tjera.

Më 13 prill 1981 Xhavit Nimani, në mbledhje të Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste,  thoshte edhe këto: “[…] sot kemi biseduar, thanë se nuk kemi më vende në burgje”.

Arrestimet e reja, në fakt ishin vazhdim i intensifikuar i ndjekjeve që i bëheshin në vijimësi Lëvizjes Kombëtare të Kosovës. Në një nga mbledhjet e Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, fill pas demonstratave, Sekretariati i Punëve të Brendshme raportonte:

Ne kemi bërë një analizë nga viti 1974 e deri tash, ku bëhet fjalë për shtatë vjet. Nga kjo shihet qartë se ky shërbim i ka zbuluar nëntë grupe armiqësore…që e kanë pasur organizatën e tyre, i kanë pasur qëllimet e veta, dokumentet e veta dhe kështu me radhë. Ndër ta është një grup me pozicione të Informbyrosë, ky është i ashtuquajturi grupi Lidhja e Re Komuniste e Jugosllavisë. Të gjitha grupet tjera janë nga pozicioni i nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar.

Ndërkaq Mahmut Bakalli në Mbledhjen e 89-të të Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, mbajtur më 27 prill 1981, duke folur për armikun e brendshëm, theksonte:

Ai ka vepruar edhe më herët, i ka pasur edhe aksionet e veta, ne e kemi ndjekur…e kemi penguar, respektivisht zbuluar…disa nga degët e tij i kemi zënë dhe i kemi dënuar vazhdimisht në dekadën e kaluar. … [S]e për tërë dhjetë vjet sa qindra syresh i kemi zbuluar dhe me procedurë penale i kemi dërguar në burg me të njëjtën bazë. Por kurrë nuk kemi konstatuar se e kemi shkatërruar armikun dhe që ai nuk vepron. Ai vepron…sikur karikatori i revoles, e heq njërin grup, formohet tjetri.

Pasi kanë kryer punë me të rinjtë, tani të burgosur, pasi kishin zbuluar nëntë organizata, bukur të mëdha dhe 93 grupe kundërrevolucionare, pushteti kthehet në vlerësimin e tij kryesor: bartësit e vitit 1981 janë të indoktrinuar nga Shqipëria dhe tashmë janë krijuar disa vatra që duheshin eliminuar. Në harkun kohor të pak muajve dënohen 1019 “kundërrevolucionarë”. Më shumë se 44 për qind e tyre janë nën moshën 24 vjeçare. Megjithëse nuk jepet kurrfarë shpjegimi se si mund të jenë indoktrinuar, megjithëse në gjyq të gjithë dënohen si bartës të idesë së republikës së Kosovës dhe nuk ka, veç fare pak, akuza për idenë e bashkimit me Shqipërinë. Shteti në Kosovë, drejtuar nga Beogradi, ka ndezur makinerinë e tij.

Vladimir Bakariq, një veteran dhe zyrtar i lartë jugosllav, edhe ky i befasuar, deklaronte: Dikush u ka prirë në mënyrë shumë profesionale këtyre demonstratave dhe është vështirë të thuhet se një Kosovë relativisht e prapambetur ka mundur të japë një nivel aq të lartë të organizimit sikurse ka qenë atje. Pra, jo në linjën komuniste, por në linjën antikomuniste.

Një funksionar i lartë serb në Kosovë, Dushan Ristiq lëshon thirrjen se, “kurrfarë librash nuk na duhen nga Shqipëria”. Thirrje të tilla vijnë edhe nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, ku zërat kundër pavarësisë janë më të furishëm, por kësaj here fshehur pas dogmatizmit.

Fillon në pak ditë djegia e librave në sheshe. Digjet Kadare, Agolli, Arapi, Kuteli, që është si i nëmur për poemthin kosovar, Poradeci është më i përkëdhelur, por prapë se prapë i djegur edhe ai; Fishta është i lëçitur dhe përgjithësisht shkrimtarët para vitit 1945 janë rreptësisht të ndaluar. Digjen veprat e Çabejt dhe të Budës, Demirajt dhe Arben Putos. Flakadanë të mëdhenj ndizen në sheshet e Prishtinës.

Një fushatë sulmesh të egra, të denja për Mesjetën, u organizua kundër kulturës, historisë, arsimit dhe inteligjencës shqiptare. Pas vënies së ‘murit të hekurt’ midis Kosovës dhe Shqipërisë, u hoqën nga shkollat e fakultetet tekstet që kishin ardhur nga andej dhe të gjitha të tjerat me përmbajtje kombëtare. Librat shqip digjeshin në grumbull si në inkuizicione mesjetare.

“Atje ku digjen librat, në fund digjen edhe njerëzit”, thoshte Heine.

Befas do të fillonin sulmet e ashpra kundër gjuhës letrare të unisuar shqipe. Jusuf Gërvalla, pa dyshim një ndër figurat më të shquara dhe të realizuara të brezit të vitit 1981, i vrarë më 17 janar 1982, së bashku me militantin e pazakontë, Kadri Zeka dhe të vëllanë, Bardhosh Gërvalla, në një qytezë pranë Shtutgartit, do të vërente që asaj kohe se: “Shtypi jugosllav, veç të tjerash, ‘merakoset’ edhe për gjuhën tonë të njësuar letrare. Pse – thonë letërnxirësit e gazetave të shumta, – kur u bë unisimi i shqipes, nuk u mor për bazë gegërishtja po toskërishtja! Bile, toskërishtja gjirokastrite- shtojnë ata – e folmja e vendlindjes së Enver Hoxhës”. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Milazim Krasniqi, një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës…