Nga nesër komuna e Mitrovicës fillon punën me kapacitete të plota

18 maj 2020 | 12:44

Drejtuar nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe në prani të nënkryetarit Faruk Mujka, sot është mbajtur mbledhja e radhës e bordit të drejtorëve, ku janë diskutuar disa pika të rendit të ditës, që kanë qenë me interes për qytetarët e kësaj komune.

Fillimisht kryetari Bahtiri, ka thënë se pas lehtësimit të disa nga masave të vendosura si pasojë e përhapjes së virusit COVID-19, nga nesër ( e martë) do të fillojë funksionimi i komunës me kapacitete të plota, dhe të gjithë zyrtarët komunalë duhet të vazhdojnë punën intensivisht, me përjashtim të atyre mbi moshën 60 vjeç dhe që kanë probleme shëndetësore.

Ndërsa drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj-Barani, ka shpalosur gjendjen aktuale me virusin COVID-19 në Mitrovicë, me ç’ rast ka potencuar se deri më tani janë gjithsej 19 raste pozitive me këtë virus, 2 prej tyre janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive në QKUK, ndërsa 17 tjerë janë në vetizolim në shtëpitë e tyre, dhe të gjithë kanë gjendje të mirë shëndetësore dhe stabile.

Po ashtu, drejtoresha Barani ka theksuar se në bashkëpunim me Drejtorinë për Mirëqenie Sociale këtyre rasteve u kanë dalë në ndihmë përmes pakove ushqimore dhe atyre mjekësore.

Në anën tjetër, drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, ka njoftuar bordin e drejtorëve lidhur me raportin financiar për tre mujorin e parë të vitit 2020, për të cilin ka thënë se planifikimi i të hyrave për janar-mars 2020 ka qenë 480 665 80, ndërsa inkasimi 481 757 86, që do të thotë se realizimi është arritur 100.23 për qind. Gjithashtu drejtori Gashi ka përmendur edhe vendimin nga Ministria e Financave dhe Transfereve për mos llogaritjen e gjobave dhe dënimeve, edhe në raste të vonesave në tatimin në pronë, vendim ky i cili është i publikuar edhe në uebfaqe të komunës.

Në fund drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, ka thënë se pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për fazën e dytë të lehtësimit të masave, nga sot janë hapur Muzeu, Biblioteka, Qendra e Kulturës, Galeria e Arteve, ndërsa Teatri nga 1 qershori. (L.G/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar…