Nga sot në Gjilan do të kryhen testimet për Covid-19

04 dhjetor 2020 | 11:19

Gjilani pritet ta pranojë sot gjatë ditës aparatin RT-PCR për t’i punuar mostrat për Covid-19.

Lajmin e ka bërë me dije drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik (QRShP) në Gjilan, dr. Ajhane Sefiu, në mbledhjen e Komitetit të Gjilanit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“E kam një lajm të mirë për qytetarët e Gjilanit se sot na vjen aparati për RT-PCR, i cili besojmë se shumë shpejtë do të aktivizohet dhe mostrat që i marrim do t’i punojmë tashmë në QRSHP”, ka thënë Sefiu.

Ndërsa drejtori klinik i spitalit të përgjithshëm të Gjilanit, dr. Ukshin Ismaili, ka bërë me dije se aktualisht janë duke u trajtuar 51 pacientë me oksigjeno-terapi, duke shtuar se tash për tash nuk ka mungesë oksigjeni.

Në anën tjetër drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, dr. Arbenita Hajdari, ka thënë se brenda ditës ekipet e tyre po i bëjnë afro 65 vizita nëpër shtëpi tek pacientët e prekur me Covid-19.

Më tutje, ajo ka njoftuar se kanë pranuar 7 500 doza të vaksinës kundër gripit sezonal, të cilat janë duke u shpërndarë në mënyrë racionale, duke u bërë thirrje të gjithëve që kanë nevojë, t’iu drejtohen qendrave të mjekësisë familjare.

Ndërkohë, drejtori i Shëndetësisë, Selami Xhemajli, e ka paraqitur gjendjen e përgjithshme me Covid në Gjilan, e cila është si vijon: nga 6 882 mostra, 2 709 të rezultuar pozitivë, 2 278 të shëruar, 352 raste aktive, 79 të vdekur, të hospitalizuar të konfirmuar me Covid-19 janë 72, ndërsa mostra në pritje janë 134.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka dalë nga shtypi libri “Besimi islam shtyllat dhe veçoritë”…