Nga themelimi deri te konfidencialiteti: Çfarë ka bërë deri tani Grupi Punues për strategjinë e Hagës?

07 nëntor 2026 | 18:34

Grupi punues për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me procesin e apelimit të aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë ka mbajtur të shtunën takimin e dytë, në të cilin janë arritur disa marrëveshje, por përmbajtja e tyre nuk do të bëhet publike.

Grupi është themeluar më 14 tetor me vendim të Qeverisë së Kosovës, me qëllim të bashkërendimit të mbështetjes institucionale, juridike dhe diplomatike për procesin e Apelit ndaj aktgjykimit të shkallës së parë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Në këtë mekanizëm janë përfshirë përfaqësues të institucioneve të vendit dhe partive politike parlamentare, ndërsa udhëheqjen e tij e ka marrë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

Më 28 tetor, grupi ka mbajtur mbledhjen konstituive, ku janë përcaktuar drejtimet kryesore të punës dhe mënyra e organizimit të tij. Në këtë fazë është diskutuar edhe për koordinimin e institucioneve dhe mbledhjen e dokumentacionit që mund të shërbejë në procesin e Apelit.

Më 5 nëntor, Konjufca njoftoi se grupi kishte miratuar rregullat e funksionimit dhe se ishte krijuar një grup më i ngushtë punues, i cili do të merrej me harmonizimin e propozimeve dhe dokumenteve të institucioneve në një dokument të përbashkët.

Ai paralajmëroi se takimi i radhës do të mbahej të shtunën, më 7 nëntor, dhe se do të shqyrtoheshin dokumentet e përgatitura nga institucionet. Konjufca kishte kërkuar mirëkuptim nga mediat, duke theksuar se puna e këtij mekanizmi do të zhvillohej në mënyrë konfidenciale.

Takimi i së shtunës është mbajtur në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, nën drejtimin e Konjufcës. Në të kanë marrë pjesë Vlora Çitaku nga PDK-ja, Jehona Lushaku-Sadriu nga LDK-ja, Bekë Berisha nga AAK-ja dhe Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Pas përfundimit të takimit, Çitaku konfirmoi se janë arritur disa marrëveshje, por theksoi se ato nuk do të bëhen publike.

“Ne jemi dakorduar për konfidencialitetin e këtij grupi. Duhet të flasë puna, jo deklaratat. Disa marrëveshje po, jo për publik”, deklaroi ajo.

Deri më tani, nuk është prezantuar publikisht ndonjë strategji përfundimtare apo plan konkret i veprimit. Ndërkohë, afati i caktuar nga Gjykata Speciale për paraqitjen e njoftimeve të apelimit nga mbrojtja dhe Prokuroria e Specializuar është 27 nëntori 2026.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Pas qëndresës për disa minuta para Kryeministrisë, protestuesit janë zmbrapsur…