
Ngërçi politik, OVL-UÇK bën thirrje për përgjegjësi shtetërore
Në një deklaratë të përbashkët, Organizatat e dala nga lufta – OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së – bashkë me Shoqatën e të Burgosurve Politikë dhe Shoqërinë “Lëvizja”, kanë ngritur alarmin për krizën institucionale që, sipas tyre, po thellohet si pasojë e një ngërçi politik të panevojshëm.
Në njoftimin në “Facebook”, thuhet se është e papranueshme që, në një kohë të krizës ekonomike, sociale dhe të sigurisë, partitë politike , e në veçanti partia fituese, të qëndrojnë të ngurta ndaj përgjegjësive për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja, njofton Klankosova.tv.
“Ne nuk paragjykojmë askënd, por kur interesi shtetëror vihet në rrezik për shkak të mungesës së kompromisit dhe kryeneçësisë politike, atëherë ndjejmë për detyrë të ngremë zërin publikisht”, thuhet në reagim.
Organizatat u bëjnë thirrje të gjitha subjekteve politike që të tregojnë pjekuri dhe të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme që respekton Kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve.
“UÇK-ja nuk luftoi për ngërçe politike, por për një Kosovë të lirë dhe funksionale. Nëse situata vazhdon, ne do të ndërmarrim hapa të mëtejshëm për të mbrojtur vlerat për të cilat u sakrifikua shumë”, thuhet tutje në njoftim.