
NGJARJET EPIKE, LUFTA E KOLOSËVE DHE LINDJA E LEGJENDAVE
– Në vend të telegramit të ngushëllimit
Hajdin Abazi
Familja Thaçi nga Buroja, sipas traditës, ka hapur dyert për ngushëllime me rastin e vdekjes së babait e kryefamiljarit të tyre. Tek secili familjar lexohet dhembja e dyfishtë:
– për Haxhi Thaçin që fizikisht nuk do të jetë më në mesin e tyre; këtë prind që në familjen e tij kultivoi vlerat kombëtare dhe frymën atdhetare, prej nga do të dilte edhe lideri më famëmadh i Kosovës së fundshekullit XX e XXI: Drejtori Politik i Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës, Kryesuesi i delegacionit shqiptar në Konferencën e Rambujesë ku u vulos çlirimi i atdheut, Kryeministri i parë i Kosovës së çliruar nga pushtimi njëshekullor serb, Njeriu që e Shpalli Pavarësinë e Kosovës;
– për Hashim Thaçin, i cili edhe në këtë dhembje të madhe të ikjes së babait në amshim Ai ndodhet në burgun e Hagës, ku shkoi atje duke lënë postin e presidentit për t’iu përgjigjur drejtësisë lidhur me akuzat e rreme për trafikim organesh nga çlirimtarët gjatë rezistencës së armatosur kundër terrorit shtetëror të Serbisë, për të mbrojtur karakterin dhe dinjitetin çlirimtar të luftës sonë.
Historia, kësaj here, ju sfidoi si familje shumë rënd, pikërisht ashtu sikurse thuhet se vetëm kolosët përballen me sfida të jashtëzakonshme!
Dhembjen tuaj të dyfishtë e ndjej në shpirt dhe ju shpreh ngushëllime më të sinqerta!
Mos prania për t’i dhënë lamtumirën e fundit babait, është një mungesë e madhe që kurrë nuk do të plotësohet me imazhin e fundit! Se sa e rënd është kjo e di mirë, se vet e kam përjetuar në vitin 1986 kur për shkak të përndjekjes politike nga regjimi pushtues sa kisha mërguar, dhe po atë vit ndërroi jetë babai im i ndjerë, që UDB-ja, si hakmarrje, u kujdes t’ia zhdukte edhe çdo shenj varri!
Nuk kam mundur kurrë të besoj se diçka të tillë do të përjetonte edhe Hashim Thaçi, Njeriu që qe në ballë të Kthesës Historike të Çlirimit të Kosovës, e cila e bëri realitet aleancën e Kosovës me Perëndimin dhe që e shpalli edhe Pavarësinë e Kosovës – Republikën tonë Demokratike!
Drejtori Politik i UÇK-së e vazhdon luftën e cila do të duhej të kishte përfunduar qysh më 12 qershor 1999, një luftë tjetër – atë për të treguar pastërtinë e Luftës Çlirimtare të UÇK-së, sepse luftë më të pastër kombëtare nuk ka pasur në historinë e njerëzimit se sa ajo e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nuk ka fabrikim gënjeshtrash, shpifjesh e pseudofaktesh që mund ta shtrembërojnë atë – sepse, sikurse u pat shprehur në një rast Muhamet Mavraj, “ari, sido që të jetë, mbetet ar”.
Kushdo që këtë luftë me përmasa planetare të ish Drejtorit Politik e të krerëve të UÇK-së, të kolosëve së lirisë së Kosovvs, e shikon me indiferencë, fërkon duart mjerane tërë gëzim çmendurak për ndodhjen e tyre përball drejtësisë, kushdo që rri gjoja neutral, sidomos ndonjë që mbahet si madhor e posaçërisht ata që në katër vitet e shkuara ishin në krye të shtetit, historia do t’i mbulojë me turp, sepse i bëhen krah errësirës që përpiqet të hedh baltë mbi shkëlqimin e panjollosur të luftës sonë çlirimtare!
Kostoja e lirisë sonë e paska pasur çmimin tejet të shtrenjtë, por jam i bindur, se duke qenë luftë fund e krye me program çlirimtar dhe e pastër si drita e diellit, epilogu do të jetë dëshmia e legjitimitetit, dinjitetit dhe integritetit ashtu sikurse është vet liria.
Vetëm gjyqet e regjimit pushtues të Serbisë kanë shpallur verdikte që dënonin luftën çlirimtare të Kosovës, dhe jam i bindur se çdo gjykatë e paanshme në botë, ashtu sikurse besoj se është Gjykata Speciale e Hagës, nuk do të shpallte një verdikt kundër luftës së drejtë e të pastër çlirimtare sikurse ishte ajo e UÇK-ja.
Dhe ja, në tërë këtë rrjedhë epike, sikurse ka ndodhur ndër shekuj, lindin legjendat.
Mjeku që kujdesej për Haxhi Thaçin tha se, me ta takuar së fundmi të birin, Hashimin, ai kishte thënë se më nuk i donte barnat, nuk e donte terapinë sepse ju kishte përmbushur dëshira e fundit: për ta përqafuar edhe një herë, për të fundit herë, të birin!