
Ngritja ‘’diskriminuese’’ e pagave revolton veteranët e pensionistët
Qeveria ka rritur pagat e shërbyesve civilë, duke shtuar 55 euro që nga janari i vitit 2025.
Pjesa e dytë e rritjes, që do të zbatohet nga 1 korriku i këtij viti, do të sjellë një tjetër shtesë prej 55 eurosh, duke e çuar gjithsej rritjen në 110 euro. Ky vendim, i cili ishte paraparë edhe në Ligjin për Buxhetin për vitin 2025, ka për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës dhe motivimin e shërbyesve civilë.
Kjo rritje nuk i përfshin pensionistët dhe veteranët.
Ky ndryshim ka shkaktuar reagime, pasi këto grupe që kanë dhënë kontribut të madh për vendin, nuk do të përfitojnë nga këto shtesa.
Jashari: Mosngritja e pensionit-diskriminimi i radhës i Qeverisë që është anti UÇK
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, në një prononcim për Front Online, ka kritikuar qeverinë për sic tha ai diskriminimin e veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve, duke e cilësuar këtë si një tregues të politikave anti-UÇK.
Ai tha se qeveria vazhdon të godasë këto grupe, duke injoruar ligjet dhe detyrimet ndaj tyre.
“Ky është diskriminimi i radhës dhe treguesi i radhës i kësaj qeverie që është anti-UÇK, sepse çdo herë, po godet aty ku nuk duhet me goditë, por megjithatë shpresojmë që këto çështje duhet të rregullohen”, tha ai.
Ai shtoi se me konstituimin e Kuvendit dhe fillimin e punës së tij, Shoqata do të adresojë çështjen e trajtimit të veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve dhe do të kërkojë nga qeveria që të zbatojë ligjin.
“Mendoj se me kosntituimin dhe fillimin e punës të parlamentit ne do t’i adresojmë. Por edhe qeverisë që të obligohet t’i zbatoje ligjet sepse deri me tani zbatueshmëria e ligjeve edhe pse janë në funksion është e mangët dhe nuk zbatohet komplet. Këto kategori të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës trajtohen me ligj të veçantë dhe ky ligj i obligon që Qeveria e Republikës së Kosovës ta zbatojë në plotni ligjin që është aprovu ne Parlamentin e Republikës se Kosovës”, shtoi ai.
Jashari për Front Online, ka shprehur edhe shqetësimin se Qeveria e Kosovës nuk ka ofruar asnjë ngritje të pensioneve, duke e përkeqësuar situatën për veteranët dhe familjet e dëshmorëve, sidomos në krahasim me inflacionin dhe nevojat e tyre.
“Absolutisht, që nga Qeveria Thaçi nuk ka pasur ngritje të pensioneve krahasuar me inflacionin, krahasuar me nevojat për këto kategoria. Ndihma e shtetit që nuk është pension por është benificion, benifitet që i marrim nga Qeveria e Republikës se Kosovës, mund të konsiderohen raste sociale që besoj që është turp dhe mjerim i këtyre institucioneve që këto kategori të jetojnë me një gjendje të tillë, me një përkujdesje të tillë nga institucionet e Republikës së Kosovës”, përfundoi ai. Syla: Qeveria ‘’Kurti’’ asnjë cent as për një lule për një varr dëshmori
Gazmend Syla, Kryetar i Degës së OVL-UÇK-së në Pejë, në një prononcim për Front Online, ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga Vetëvendosje dhe Albin Kurti, duke e cilësuar këtë si një qeveri antikombëtare.
Ai tha se megjithëse i gëzohet çdo rritjeje page për çdo kategori të shoqërisë, thotë që ky është një vendim i turpshëm, që synon të ulë dinjitetin e luftës.
“I gëzohem çdo rritje për cilëndo kategori të shoqërisë, por nuk mund të rri pa përmendur se kjo qeveri, e udhëhequr nga Vetëvendosje dhe Albin Kurti, është qeveri antikombëtare në thelb. Nuk e harrojmë kurrë bashkërendimin me Listën Serbe për ta përjashtuar pensionin e veteranit nga paga minimale, një vendim i turpshëm dhe i qëllimshëm për ta ulur dinjitetin e luftës sonë”, tha ai për Front Online.
Syla tha se kjo qeveri e ka përbuzur luftën, ka harruar sakrificën e popullit dhe ka injoruar nevojat e veteranëve, invalidëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve, duke mos ndarë asnjë fond për ata.
“Prej se ka ardhur kjo qeveri, asnjë cent nuk është ndarë për protezat e invalidëve të luftës, as për rehabilitim në banja për familjarët e Dëshmorëve, as për një lule për një varr dëshmori. Asgjë për shoqatat e dala nga lufta. Kjo qeveri e ka përbuzur luftën, i ka injoruar sakrificën dhe ka harruar rrënjët e lirisë. Dhe ne nuk do të heshtim përballë kësaj padrejtësie’’, tha ai.
Kastrati për mosrritjen e pensioneve: Degradim dhe nënçmim i të moshuarve
Sekretari i Shoqatës së Pensionistëve, Sherif Kastrati për Front Online tha se vendimin për mos ngritjen e pensioneve e sheh si një “degradim dhe nënçmim” të personave të moshuar, duke përfshirë këtu një kategori tjetër të ndjeshme të shoqërisë që është e varur nga pensionet.
“Vlerësimi i jonë për mos rritje të pensioneve që përfshin grupe te tjera , është degradim dhe nënçmim i të moshuarve”, tha ai.
Kastrati tha se kanë kërkuar të kontaktojnë me krerët e shtetit, në forma të ndryshme, por ata nuk kanë pranuar asnjë kontakt. Sipas tij, pensionet mbesin të ulëta sa për nevojat elementare nuk mjaftojnë.
“Kemi kërkuar të kontaktojmë me Presidenten, Kryeministrin dhe Kryeparlamentarin në forma të ndryshme por nuk kanë pranuar ndonjë kontakt. Po me ndonjë këshilltare. Ndërsa, pensionet aq të vogla janë sa nuk mund t’i sigurojnë dy shujta në ditë. Për ilaçe nuk mund të flasim”, tha ai.
Ditë më parë, për “Front Online” Ali Sefaj, kryetar i Sindikatës së Shërbyesve Civil, pati kritikuar ashpër vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave në dy pjesë me nga 55 euro, duke e quajtur atë të pamjaftueshme.
Ai kërkoi që Qeveria të ndërmarrë politika më serioze dhe të zbatojë indeksim të rregullt të pagave sipas inflacionit dhe kostos reale të jetesës.
Sekretari i Shoqatës së Pensionistëve, Sherif Kastrati për Front Online tha se vendimin për mos ngritjen e pensioneve e sheh si një “degradim dhe nënçmim” të personave të moshuar, duke përfshirë këtu një kategori tjetër të ndjeshme të shoqërisë që është e varur nga pensionet.
“Vlerësimi i jonë për mos rritje të pensioneve që përfshin grupe te tjera , është degradim dhe nënçmim i të moshuarve”, tha ai.