NGUJIMI I REPUBLIKËS NË ZGAFELLE NË 30-VJETORIN E GREVËS SË MINATORËVE 1989

28 shkurt 2019 | 11:07

Ragip Shala

Pas pranverës republikane të ’81-s, Kosova u ngujua nga masat e gjendjes së jashtëzakonshme, diferencimet ideo-politike, represioni i regjimit komunist të RSFJ-së që rezultoi me burgosje të 5 000 “nacionalistëve” dhe ndalimin e torturimin e më se 500 000 shqiptarëve në “stranica” të milicisë për veprimtari “nacionaliste” dhe “irredentiste”.

Komunistët e Kalimegdanit: Ali Shukriu, Azem Vllasi, Kolë Shiroka, Sinan Hasani, Rrahman Morina etj., nuk u mjaftuan me vetëm kaq tirani ndaj Kosovës. Ata pasi “qëruan hesapet” me komunistët gjakovarë: Mahmut Bakallin, Fadil Hoxhën, Xhavit Nimanin, Ali Hadrin, suprimuan rezolutën e Konferencës së Bujanit, ndryshuan pamjen e flamurit kombëtar shqiptar, shkuan edhe më tej, shpallën “martir” Gjorgje Martinoviqin.

Në shenjë besnikërie ndaj patronëve të tyre beogradas i hapën rrugë edhe degradimit të pozitës juridiko-politike të KSA Kosovës.

Në shtator 1988 Komiteti Krahinor i Lidhjes Komuniste dhe Kryesia e KSA Kosovës propozuan ndryshimin e pozitës kushtetuese të KSA Kosovës, me arsyetim se “Kosova nuk humb asgjë” nga ndryshimet kushtetuese.

Ky kapitullim i marionetave të Beogradit përballë aspiratave hegjemoniste serbe shkaktoi revolta në gjithë Kosovën. Të parët ngritën zërin minatorët e “Trepçës” duke marshuar në Prishtinë, pastaj atyre iu bashkëngjit i tërë populli, që rezultoi me tubime dhe demonstrata njëjavore në nëntor 1988 kundër nacional shovinizmit serb dhe marionetave, komunistëve të Kalimegdanit.

Në janar 1989 K. K. i Lidhjes Komuniste dhe Kryesia e KSA Kosovës, përkundër vullnetit të popullit, miratuan propozimin e komisionit për ndryshime kushtetuese. Në shkurt 1989 e tërë Kosova ishte ngujuar nga masat represive të regjimit komunist të Beogradit.

Në ato rrethana ngujimi të Kosovës, minatorët e “Trepçës”, pasi kishin “shterur” të gjitha shtigjet mbi tokë, marrin vendim që të ngujohen nën tokë. Pikërisht më 20. 2. 1989, në horizontin e nëntë të minierës së Stantërgut, u ngujuan 1 300 minatorë grevistë. Greva e minatorëve ishte një kundërvënie krejt e veçantë kundër nacional-shovinizmit dhe hegjemonizmit serb. Si e tillë, ajo i “shkeu” maskën LKJ-së si “avangardë e klasës punëtore” dhe promotore e “barazisë nacionale” në RSFJ. Ngujimi i minatorëve bëri jehonë jo vetëm në RSFJ, por edhe përtej Atlantikut. Vendosmëria për sakrifica deri në flijim shkaktoi një solidarizim në tërë Kosovën.

Një solidarizim i tillë me minatorët u shfaq edhe në Qendrën Studentore, atje u barrikaduan 15 000 studentë në përkrahje të minatorëve grevistë. Ngujimi i 1 300 minatorëve në zgafelle dhe i studentëve në palestrën sportive të Qendrës Studentore shkaktoi një betejë politike në mes të LKJ-së dhe lëvizjes klandestine – LPK-së. Lidhja Komuniste e Kosovës ishte për Kosovën krahinë, kurse Lëvizja klandestine – LPK-ja – ishte për Kosovën Republikë.

Lidhja Komuniste e Kosovës u nda në dy banda komunistësh për statusin e Kosovës: njëra bandë ishte për Kosovën krahinë sipas Kushtetutës së vitit 1974, banda tjetër sipas Kushtetutës së vitit 1963. Të dy bandat komuniste në Prishtinë, të shkëputura krejtësisht nga “klasa punëtore” e Kosovës, nuk e “qanin” hallin e Kosovës karshi nacionalizmit dhe hegjemonizmit serb, por hallin e pozitave personale në pushtetin e regjimit millosheviqian.

Zgafellja në horizontin e nëntë dhe Qendra e Studentëve u bënë një kunj magnetik që do të rrotulloheshin tri opsione politike që, mbase, varej fati jo vetëm i KSA, Kosovës, por edhe i RSFJ-së.

Opsioni i parë që “varej” në kunjin e grevistëve vinte nga Beogradi, opsioni i dytë nga Prishtina, kurse opsioni tretë i sfidoi të dy opsionet: Kosova krahinë dhe angazhohej për Kosovën Republikë.

Greva e minatorëve në horizontin e nëntë u bë një arenë e betejës politike në mes të LKJ-së dhe LPK-së. Kjo betejë, që për shumë vite ishte zhvilluar mbi tokë, tani po bartej në thellësinë e tokës së Kosovës.

Horizonti i nëntë, si një arenë gladiatorësh me minatorët e ngujuar, u bë një arenë politike edhe në mes të centralizmit hegjemonist serb dhe decentralizmit slloven e kroat në federatën jugosllave. Meqë erdhi një moment që fati i RSFJ-së po varej nga grevistët, prandaj atje “zbriti” Stipe Shuvari, kryekomunisti i KQ të RSFJ-së dhe Skojisti i Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste, Azem Vllasi.

Në zgafelle zbritën edhe “djemtë” klandestinë: Durak Kabashi, Sinan Kryeziu dhe Ragip Shala, autor i këtij shkrimi. Stipe Shuvari në horizontin e nëntë deklaroi se: “Ovde se brani Jugosllavia” (Këtu mbrohet Jugosllavia)!

Azem Vllasi përmes intrumentalizimit të minatorëve, mbase për ta mbrojtur vetëm veten! “Djemtë” klandestinë, pavarësisht rrezikut, bartën në zgafelle te minatorët mesazhin e Lëvizjes Klandestine të LPK-së për Kosovën Republikë.

Meqë RSFJ-ja po rrezikohej nga hegjemonizmi serb, mbrojtja e saj mbase mund të gjente mbështetje vetëm në Republikën e Kosovës. Dhe kur pritej në bazë të koordinimit në mes të studentëve dhe minatorëve grevistë për të dalë me vetëm një kërkesë: Kosova Republikë, ndodhi thyerja.

Zekeria Cana do të hynte te studentët për të njoftuar se: “Meqë u janë plotësuar kërkesat e minatorëve, ata e kanë përfunduar grevën…”?! Më kot janë përpjekur “djemtë” klandestinë: Ahmet Gashi, Blerim Dervishi, Mejdi Gega, Nesim Morina, Shaqir Kryeziu, Ruzhdi Kolgeci, Ruzhdi Cikaqi, Fehmi Mujota, Sinan Kryeziu, Ragip Shala etj., që t’i bindnin studentët të qëndronin edhe më tej në sallë, por “krahinorët” e fituan betejën.

Minatorët me sy mbyllur dhe me fotografinë e satrapit Tito po dilnin mbi sipërfaqe të tokës të mashtruar dhe të tradhtuar nga eunukët e LKJ-së. Në sipërfaqe nga zgafellja doli krahina e Kosovës, në zgafelle mbeti e ngujuar Republika për disa vjet. Mbas përgjakjes së RSFJ-së nga nacionalë shovinistët dhe hegjemonistët serbë, Republika e Kosovës do të dalë në sipërfaqe nga lufta çlirimtare e UÇK-së kundër okupimit serb.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Talibanët dhe zyrtarët amerikanë, që kanë zhvilluar bisedime në Katar,…