Nik Gjeloshaj fiton zgjedhjet në Tuz: Faleminderit të gjithë atyre që votuan për Forumin shqiptar

06 mars 2023 | 13:48

Koalicioni “Forumi Shqiptar – Bashkim dhe Zhvillim”, i drejtuar nga Nik Gjeloshaj, ka fituar shumicën absolute në zgjedhjet në Tuz – komunë e banuar me shumicë shqiptare në afërsi të Podgoricës të cilat u mbajtën më 5 mars. Ky koalicion ka marrë rreth 52 për qind të votave, sipas të dhënave preliminare.

Pas fitores Gjeloshaj ka falënderuar të gjithë ata për mbështetjen e jashtëzakonshme në këto zgjedhje dhe për vlerësimin e zhvillimit të Malësisë duke votuar për Forumin shqiptar.

“Votat tuaja nënkuptojnë se ne kemi punuar me përkushtim, përgjegjësi dhe ndershmëri në dobi të të gjithë qytetarëve tanë. Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj diasporën tonë, për përkushtimin dhe pjesëmarrjen e madhe për të votuar për zhvillimin e atdheut të tyre”, ka theksuar Gjeloshaj.

Ai ka thënë se fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar kontributin e vëllezërve tanë nga diaspora dhe gjithçka që kanë bërë që atdheu i tyre të mbetet në duart e duhura, në duart në të cilat Malësia do të vazhdojë me projekte kapitale dhe zhvillimore.

“Së bashku, ne dëshmuam se disa individë nuk mund t’i përçajnë vëllezërit përmes ndarjeve artificiale, ne dëshmuam se Malësia është e bashkuar dhe e zhvilluar. Më imponon shumë fakti që kemi fituar një numër të madh të votave në vendvotimet ku ndodhen qytetarët tanë të kombësive që nuk janë shqiptar, ku kjo deshmon se të gjithë qytetarët kanë parë rezultatet e punës, programit dhe strategjisë sonë zhvillimore”, ka thënë ai.

Sipas Gjeloshajt, Forumi shqiptar është një koalicion i të gjithë shqiptarëve dhe shqiptarët janë Zot shtëpie të vendit të vetë.

“Ne kemi një traditë mijëravjeçare të harmonisë dhe bashkëjetesës multietnike me të gjithë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe në të ardhmen, përmes mundësive të barabarta për gjithë qytetarët tanë. Humbësit kanë vetëm një obligim, t’i kërkojnë falje Malësisë për përpjekjen e përçarjëve fetare, dhe të shkojnë në pension, sepse gjykimin për veprimet e tyre e dhanë qytetarët në mënyrë demokratike dhe të ndershme në zgjedhjet e së dielës”.

“Malësia është krenare për bijtë dhe bijat e saj dhe Forumi shqiptar do të vazhdojë me krenari dhe fuqimisht zhvillimin e atdheut tonë të dashur. Forumi shqiptar me 18 këshilltarë, bashkë me Demokratet në krye me Shtjefën Camaj dhe këshilltarin boshnjak Adnan Pepiq, në total 20 këshilltarë do të drejtojnë Malesinë në katër vitet e ardhshme”, deklaruar Nik Gjeloshaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madridi nuk ka arritur më shumë se një barazim…