
Nipi i Gani Gecit i bashkohet Listës Guxo
Nipi i Gani Gecit, Fatoni, i është bashkuar Listës Guxo.
Lajmin e ka bërë me dije bashkëryetarja e Listës Guxo, Donika Gërvalla.
“Sot, në Partinë Guxo mirëpritëm Fatos Gecin, ekonomistin nga Drenica. Ai po bashkohet me familjen tonë politike, duke pasur guximin, idealizmin, patriotizmin dhe formimin institucionalist që e ka në asht, si pinjoll i denjë i familjes tradicionale e fisnike të Bajraktarit të Llaushës, djali i vëllait të madh nga Shtatë Vëllezërit Geci. Fatos (Halil) Geci është në përfundim të studimeve të doktoratës në fushën e ekonomisë në UP ‘Hasan Prishtina’ si dhe përfitues i tri bursave ndërkombëtare të studimeve doktorale në Cote d’Azur University në Francë. Ai ka disa vjet përvojë profesionale në sektorin e financave, duke u angazhuar në çështje që lidhen me analizën ekonomike, menaxhimin financiar dhe politikat zhvillimore. Duke trashëguar traditën, familja e Fatosit dha provimin më të madhërishëm. Fillimisht, në rezistencën civile, pas kësaj si bashkëluftëtarë të Adem Jasharit e luftëtarë deri në çlirimin e vendit dhe në përpjekjen e përhershme për shtetndërtimin e Kosovës, gjithmonë duke qenë mbështetës të institucioneve të Kushtetutës së Kaçanikut dhe të presidentit Ibrahim Rugova. Nga sot, rrugën për Kosovën, Fatos Geci do ta bëjë bashkë me Partinë Guxo, trashëgimtaren e denjë dhe të vetme të Ibrahim Rugovës”, ka njoftuar Gërvalla.