
Nis Evropiani i Esports në Kosovë, Kurti: Ngjarje e madhe, ta mbështesim me zemër ekipin tonë
36 ekipe nga 24 shtete të Evropës do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian të Esports që ka nisur të mërkurën në Prishtinë, ndeshjet e të cilit zhvillohen në Palestrën e Sporteve “1 Tetori”. Kosova jo vetëm që do të jetë mikpritëse e kësaj gare madhore, por edhe do të përfaqësohet me ekipin e saj kombëtar.
Në ceremoninë e hapjes zyrtare kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të pranishmëve iu drejtua në gjuhën angleze. Ai theksoi se megjithëse në botë ky njihet si sport i ri, Kosova ka një storie të gjatë në këtë aktivitet pasi që të rinjtë e Kosovës shumë vjet më parë filluan angazhimin e tyre në lojërat elektronike nëpër internetkafe, duke bërë kështu hapat e parë drejt rritjes profesionale në këtë sport. “Sigurisht, si në çdo ngjarje tjetër sportive, fitorja ka rëndësi. Secili atlet ka ndjekur përsosmërinë me pasion dhe përkushtim. Por fuqia e vërtetë e këtij kampionati jeton përtej tabelës së rezultateve, por në lidhjet që ndërtojmë, historitë që ndajmë dhe komunitetin që krijojmë së bashku”, u shpreh ai.
Kryeministri theksoi se Kosova është një vend ku talenti rritet me shpejtësi dhe se të rinjtë tanë mishërojnë fuqinë e vizionit dhe përkushtimit. Shtoi se aftësitë dhe pasioni i tyre si në sport ashtu edhe në teknologji krijojnë një themel të fortë, duke i bërë Esportet një shprehje natyrale të shpirtit dhe potencialit të vendit tonë. “Kampionati Evropian, Kosova 2025, qëndron si një moment i rëndësishëm – jo vetëm në Esports, por në atë që përfaqëson për rajonin tonë dhe më gjerë. Këtu, në këtë skenë, ne dëshmojmë se si lojtarë nga vende dhe prejardhje të ndryshme bashkohen nga një qëllim i përbashkët, të nxitur nga respekti dhe puna në grup. Kjo është pikërisht ajo që i duhet botës sot: unitet që ngrihet mbi kaosin, përpjekje të përbashkëta që ngrihen mbi kufijtë individualë dhe ide që ndërtojnë ura në vend të mureve”, ka deklaruar kryeministri.
Ndeshja hapëse e Kampionatit Evropian të Esports ka qenë ajo në mes të Kosovës dhe Çekisë në Counter-Strike 2. Kjo ndeshje u ka takuar “Dardanëve” të cilët kanë fituar pa shumë vështirësi me rezultat 2-0.