Nis “Java e Personave të Pagjetur”

22 prill 2018 | 17:28

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka dërguar agjendën për shënimin e “Javës së Personave të Pagjetur”, e cila do të nis sot (e hënë) dhe do të vazhdojë deri më 27 prill të këtij viti.

“Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare te të Zhdukurve të Kosovës dhe organizatat tjera vendore e ndërkombëtare, organizojnë shënimin e ‘Javës për Personat e Pagjetur’ në vigjilje të shënimit të 27 prillit – ditës së të pagjeturve të Kosovës”, ka njoftuar Qeveria.

Zyrtarisht në Kosovë ende figurojnë mbi 1 mijë e 650 persona të zhdukur.

Agjenda e plotë e Qeverisë për “Javën e Personave të Pagjetur”:

Më 23 prill 2018, ora 09:00, do të fillojnë aktivitet me vendosjen e luleve të përmendorja dedikuar personave të zhdukur (përballë Kuvendit të Republikës së Kosovës);

Më 24 prill 2018, do të vizitohen dhe realizohen takime me familjarët e personave të zhdukur, nga Komuna e Fushë Kosovës dhe Komuna e Obiliqit;

Më 25 prill 2018, do të vizitohen dhe realizohen takime me familjarët e personave të zhdukur, nga Komuna e Vushtrrisë;

Më 26 prill 2018, do të realizohen aktivitete lokale në nderim dhe përkujtim te të gjithë personave të zhdukur dhe të rënëve për lirinë e vendit;

Më 27 prill 2018, duke filluar nga ora 12:00, mbahet Tubimi Qendror Përkujtimor, në Kompleksin Memorial në Mejë, komuna e Gjakovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pesëmbëdhjetë deputetë turq nga partia kryesore opozitare CHP, kanë shkuar…