Nis seanca vendimtare në Kuvend: Kosovën e ndajnë Presidenti ose zgjedhjet
Në Kuvendin e Kosovës ka nisur përgatitja për seancën e fundit vendimtare për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, ndërsa afati kushtetues përfundon në mesnatë.
Më pak se një orë ka mbetur deri në momentin kur deputetët pritet të mblidhen në përpjekjen e fundit për të zhbllokuar procesin dhe për të zgjedhur kreun e shtetit. Në rast se nuk arrihet marrëveshje dhe nuk sigurohet kuorumi i nevojshëm, vendi shkon automatikisht në zgjedhje.
Seanca e mëhershme, e planifikuar për orën 19:00, ishte shtyrë për në 23:00 nga Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, e cila u bëri thirrje deputetëve të marrin pjesë në procesin vendimtar.
Afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit skadon në ora 24:00, duke e bërë këtë seancë të fundit shansin e vetëm për një marrëveshje politike.
Në anën tjetër, Albin Kurti ka deklaruar se ekziston hapësirë për marrëveshje me LDK-në, duke kërkuar kandidaturë dhe 15 nënshkrime për të çuar procesin përpara, ndërsa opozita e ka kundërshtuar këtë qasje.
Nëse nuk arrihet zgjedhja brenda afatit, Kosova pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.



