Nishani: Basha sot po dëmton rëndë Shqipërinë dhe interesin kombëtar
Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike (PD), Bujar Nishani, ka thënë se Lulzim Basha sot nuk po dëmton thjesht e vetëm Partinë Demokratike, pasi sipas tij, kësaj partie ia ka vënë minat me kohë e aq shumë sa e ka dëmtuar nuk ka ku ta çojë më.
“L. Basha sot po dëmton rëndë Shqipërinë dhe interesin kombëtar. Pse Shqipëria dhe interesi kombëtar janë duke u dëmtuar rëndë prej L. Bashës? Në një kohë që Shqipëria drejtohet nga një qeveri thellësisht antikombëtare, vasale e qarqeve më shqiptarofobe të Beogradit, kësaj qeverie s’ka kush ti dalë përballë e ta rrëzojë! Ndërkohë që Serbia po kërcënon rëndë për destabizimin e të gjithë rajonit dhe po përgatitet me shpejtësi për një luftë të re rajonale, qeveria në Shqipëri shërben se make up i shëmtuar i hegjemonisë serbe në Ballkan, opozita e L. Bashës fshihet dhe nuk guxon të ngrejë popullin në këmbë kundër kësaj qeverie kolaboracioniste”, ka shkruar Nishani në llogarinë e vet në “Facebook”.
Nishani ka thënë se Basha e ka kthyer PD-në dhe opozitën në një fasadë të shëmtuar të qeverisjes së Edi Ramës.
“Ky është bashkëpunimi më i turpshëm i L. Bashës me E. Ramën në dëm të Interesit Kombëtar dhe në interes të destabilitetit rajonal. Partia Demokratike duhet shpëtuar sa më parë që të shpëtojë Shqipëria”, ka shkruar Nishani.



