Nisin hetimet, dy raste me sindromën misterioze të “Havanës” në Shtëpinë e Bardhë

18 maj 2021 | 21:05

Shumë afër presidentit Joe Biden, dy incidente misterioze kanë shqetësuar zyrtarët e inteligjencës. Disa burime i thanë CNN se dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë u sëmurën nga diçka e panjohur; njëri afër portës së kopshtit të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa tjetri duke kaluar një portë në anën jugore. Të dyja ngjarjet ndodhën në nëntor dhe përfshinin zyrtarë të këshillit të sigurisë kombëtare.

“Ka dhe një impakt psikologjik lidhur me mënyrën se si ky sulm u bë dhe pse u zgjodh ai lokacion specifik. Kjo dërgon mesazhin se “ne mund t’iu afrohemi ju deri në Shtëpinë e Bardhë”, tha Jonathan Wackrow, ish-agjent i Shërbimit Sekret.

Quhet “sindroma e Havanës”, pasi në mënyrë të pashpjegueshme simptomat nisën me diplomatët amerikanë në Kubë, rreth 5 vite më parë. Sulme të ngjashme kundër zyrtarëve dhe anëtarëve të inteligjencës së SHBA-së ndodhën në Rusi, Kinë dhe shtete të tjera. Simptomat përfshijnë humbje të dëgjimit, marrje mendsh dhe dhimbje koke.

Një ish-agjent i CIA-s, thotë se është goditur në një hotel në Moskë në 2017. “U zgjova në mes të natës dhe kisha një marrje mendsh të tmerrshme. Dhoma po më rrotullohej, dhe më vinte të villja. S’kisha përjetuar kurrë diçka të atillë. Kisha zhurma në veshë dhe po më gumëzhinin”, kujton Marc Polymeropoulos. Ai thotë se u diagnostikua me traumë në tru pas sulmit dhe u detyrua të dilte në pension.

Autoritetet federale amerikane kanë hapur një hetim se kush qëndron pas sulmeve me valë sonore. Thuhet se mund të jetë Rusia ose Kina. “Më të mirë në këtë fushë janë rusët. Do të dyshoja se janë rusët dhe se është një operacion i fshehtë i inteligjencës se sa me synimet për të lënduar dikë”, thotë Robert Baer, ish-oficer i CIA-s.

Rusia mohon çdo përgjegjësi, ashtu si Kina apo Kuba. Ekspertët nuk besojnë se presidenti Joe Biden rrezikohet nga ndonjë sulm i tillë brenda Shtëpisë së Bardhë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari Parim Olluri ka thënë në emisionin Pressing në T7…