Nisma e PDK-së dhe Qeverisë për Ligj të ri për Hagën, vjen reagimi nga BE-ja

25 nëntor 2026 | 21:19

Një zëdhënës i Bashkimi Evropian ka thënë se Brukseli zyrtar pret të konsultohet për çfarëdo ndryshimi të Ligjit për Gjykatën Speciale me seli në Hagë. Kjo pas nismës së re të PDK-së dhe Qeverisë së Kosovës për bërjen e një Ligji të ri, që do të bazohet në tekstin e të vjetrit që u miratua në dy lexime gjatë tetorit të këtij viti.

Ky zëdhënës i Bashkimit Evropian ka thënë se ky është një zhvillim që BE-ja po e përcjell nga afër, duke bërë thirrje për respektim të pavarësisë së Gjykatës.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, që funksionon brenda sistemit juridik të Kosovës dhe është i përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës. Mandati dhe pavarësia e tyre aktuale duhet të respektohen plotësisht dhe pa asnjë rezervë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së për Express.

Në përgjigje, ky zëdhënës i është referuar edhe shkëmbimit të letrave të vitit 2014 ndërmjet Përfaqësueses së Lartë të BE-së dhe presidentit të atëhershëm të Kosovës, duke theksuar se pret të konsultohet për çdo iniciativë të re që synon ndryshimin e legjislacionit.

“Ne presim që të konsultohemi për çdo iniciativë të re që ndryshon legjislacionin”, thuhet në përgjigje.

Zëdhënësi i BE-së ka theksuar gjithashtu se sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e viktimave dhe dëshmitarëve, mbeten me rëndësi parësore.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përsëritur ambicien për t’u…