Nisma në tetor fillon procesin e zgjedhjeve të brendshme

22 shtator 2020 | 20:04

Nisma Socialdemokrate sot ka mbajtur mbledhjen e radhës me anëtarët e kryesisë së zgjeruar, ku është diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend dhe çështjet organizative të partisë, konkretisht rreth parapërgatitjeve për fillimin e procesit të brendshëm zgjedhor.

Në ketë mbledhje, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka informuar anëtarët e kryesisë së zgjeruar rreth zhvillimeve më të fundit politike, me theks të veçantë lidhur me rikthimin e shtetit tonë në dialog dhe Marrëveshjen e Uashingtonit.

Lidhur me rikthimin e Kosovës në dialog, kryetari Limaj theksoi se, “ka qenë përkushtim i vazhdueshëm i yni si Nismë, sepse kemi besuar dhe vazhdojmë të besojmë që rikthimi në dialog është një hap i rëndësishëm për vendi, megjithëse tri vite i kemi humbur pa ndonjë arsye, por për shkak të sjelljes së papërgjegjshme dhe kryeneçësisë politike”.

Gjithsesi, kryetari Limaj tha se, Nisma mbështet dialogun që nxjerrë në pah kohën e zgjatjes së dialogut dhe mbi të gjitha, sipas tij, Nisma mbështet vetëm dialogun për njohje reciproke.

“Ne kemi propozuar që të jemi sa më unik dhe përkrah me njëri-tjetrin në mënyrë që sfidat që i kemi përpara ti tejkalojmë sa më lehtë, gjithnjë pa e luhatur dhe dëmtuar stabilitetin e vendit tonë”, ka thënë Limaj.

Çështje tjetër e rëndësishme për të cilën kryetari Limaj ka folur në ketë mbledhje, ka qenë edhe marrëveshja e Uashingtonit.

“Rikthimi në Shtëpinë e Bardhë është një momentum i mirë për Kosovën nëse do kemi vullnet dhe pjekuri të mjaftueshme politike për ta shfrytëzuar siç duhet. Marrëveshja e nënshkruar në asnjë pikë nuk është kundër interesave të vendit tonë. Ne si Nismë vlerësojmë se delegacioni ynë në Uashington ka qenë në nivel të detyrës dhe e kemi mbështetur fuqishëm atë që ata kanë arritur. Marrëveshja në Uashington është tejet e rëndësishme për Kosovën për faktin se veç aspektit ekonomik do ta ndihmoj vendin tonë edhe në aspektin gjeostrategjik, sepse kjo nënkupton edhe një rikthim gjeostrategjik të SHBA-së në rajon”, ka thënë kryetari Limaj.

Ndërsa, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, në ketë mbledhje ka folur për vizionin politik që duhet ta vazhdojë Nisma.

Kryetari i Këshillit Kombëtar tha se dikasteret që drejtojnë ministrat tanë duhet të jenë në çdo moment në shërbim të qytetarëve të vendin tonë.

Ai tha se të gjithë duhet të bëhemi zëdhënës të reformave që po ndërmarrin ministrat e Nismës në ketë mandat qeverisës, sepse, sipas Krasniqit, janë reforma që në thelb kanë të mirën e qytetarit dhe vendit.

Gjithashtu, në ketë mbledhje u diskutua edhe për fillimin e procesit të mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme të partisë.

Lidhur me ketë, sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka folur më gjerësisht rreth këtij procesi, ku dhe ka njoftuar se nga data 1 tetor i këtij viti, do të hapet procesi për regjistrimin e anëtarëve të rinj në subjektin tonë politik, në mënyrë që Nisma të jetë e gatshme dhe me energji të reja karshi sfidave që e presin vendin.

Në këtë mbledhje u mor vendim që nga data 1 tetor deri më 15 nëntor 2020 të mbahen të gjitha Kuvendet Zgjedhore nëpër degët e Nismës Socialdemokrate.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Christopher Bennett, përmes një komunikate…