Nisma nuk e ka problem kalimin e pragut zgjedhor

27 janar 2021 | 08:10

Anëtari i kryesisë i Nismës Socialdemokrate, njëherësh kandidat për deputet, Enver Hoti, është shprehur i bindur për suksesin e kësaj partie në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ai ka thënë se kjo parti nuk e ka problem kalimin e pragut zgjedhor prej 5-përqindësh.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Hoti ka deklaruar se kjo parti do t’i ketë më shumë se gjashtë deputetë në Kuvend.

“Natyrisht se ne fare nuk do ta kemi problem kalimin e pragut zgjedhor. Sipas të dhënave tona që kemi nga terreni dhe analizës sonë që kemi bërë, ne do të kemi në Kuvendin e Kosovës më shumë se gjashtë deputetë. Pra, ne nuk jemi fare të ndikuar se çfarë po raportohet”, ka thënë Hoti.

Ai ka mohuar sondazhet e fundit të cilat thonë se kjo parti nuk do ta kalojë pragun zgjedhor.

Hoti ka thënë se këto sondazhe janë të porositura dhe kanë marzhë të lartë të gabimit për partitë e vogla. “Ne nuk ndikohemi nga sondazhet, sepse ato sondazhe janë të porositura dhe janë me tendenca. Të gjithë ata që merren me sondazhe e dinë që marzha e gabimit të sondazheve për partitë e vogla është shumë më e lartë se te partitë e mëdha”, është shprehur ai.

Hoti ka folur edhe për refuzimin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për të bashkëpunuar me Nismën në këto zgjedhje. Ai ka thënë se ky është një gabim i madh që ka bërë PDK-ja. “Nisma ka pasur një gatishmëri për të bashkëpunuar me PDK-në për shkak të veprimeve të Gjykatës Speciale dhe sfidave të cilat e presin këtë kategori të njerëzve që ne përfaqësojmë. Por, PDK-ja e humbi rastin dhe tani jemi në garë ndaras. Ne aspak nuk jemi të penduar për vendimin e marrë. Kjo i takon të kaluarës. Tani ne jemi në detyrën tonë për të komunikuar me elektoratin”, ka deklaruar ai.

Sipas Hotit, PDK-ja i ka margjinalizuar figurat dhe njerëzit që vijnë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Rezultati i 14 shkurtit do të tregojë se PDK-ja ka bërë një gabim shumë të madh. PDK-ja ka një problem brenda vetvetes i cili po shihet se është një tentativë për t’i margjinalizuar figurat dhe njerëzit që vijnë nga Ushtria Çlirimtare të Kosovës. Kjo për mua është për keqardhje dhe shqetësuese. Një margjinalizim i tillë është duke ndodhur dhe kjo vërehet kushdo që e shikon listën zgjedhore të PDK-së”, ka thënë Hoti.

“Epoka e re”: Z. Hoti, Nisma ka filluar aktivitetet elektorale në terren. Si po ju ecën parafushata?
Hoti: Një nga vendimet më të mira të Nismës Socialdemokrate prej vitit 2014 deri më tani është vendimi për të shkuar vetë në zgjedhje. Ky vendim ka reflektuar fuqinë dhe disponimin e elektoratit për të marrë pjesë në zgjedhje. Ky vendim ka mobilizuar votuesit dhe strukturat e Nismës. Tani është një disponim jashtëzakonisht i madh i strukturave të Nismës dhe aktivistëve të saj, i cili garanton sukses të jashtëzakonshëm të Nismës në zgjedhjet e 14 shkurtit. Pra, vendimi i lidershipit të Nismës Socialdemokrate që të shkojë si subjekt i vetëm politik në këto zgjedhje ka qenë vendim i qëlluar.

“Epoka e re”: Pritjet ishin që Nisma të shkojë në këto zgjedhje me PDK-në, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Si e keni parë mosgatishmërinë e PDK-së për të mos shkuar së bashku në zgjedhje?
Hoti: Nisma ka pasur një gatishmëri për të bashkëpunuar me PDK-në për shkak të veprimeve të Gjykatës Speciale dhe sfidave të cilat e presin këtë kategori të njerëzve që ne përfaqësojmë. Por, PDK-ja e humbi rastin dhe tani jemi në garë ndaras. Ne aspak nuk jemi të penduar për vendimin e marrë. Kjo i takon të kaluarës. Tani ne jemi në detyrën tonë për të komunikuar me elektoratin.

“Epoka e re”: Mendoni se ka gabuar PDK-ja që nuk ka bashkëpunuar me Nismën?
Hoti: Rezultati i 14 shkurtit do të tregojë se PDK-ja ka bërë një gabim shumë të madh. PDK-ja ka një problem brenda vetvetes i cili po shihet se është një tentativë për t’i margjinalizuar figurat dhe njerëzit që vijnë nga Ushtria Çlirimtare të Kosovës. Kjo për mua është për keqardhje dhe shqetësuese. Një margjinalizim i tillë është duke ndodhur dhe kjo vërehet kushdo që e shikon listën zgjedhore të PDK-së. Elektorati që është i pjekur dhe me vetëdije, besoj se do ta vërejë këtë. Elektorati që vjen nga një trashëgimi historike dhe patriotike e kombit tonë, është duke ardhur në Nisma Socialdemokrate. Ky zë përmbledh të gjitha vlerat historike të kombit tonë, në të gjitha periudhat. Pra, është një zë i cili garanton dhe siguron të gjithë qytetarët e vendit se dinjitetshëm do t’i mbrojmë këto kategori të vlerave kombëtare. Duke mbrojtur këto kategori, mbron interesin e vendit, subjektivitetin e Kosovës dhe të ardhmen tonë të sigurt. Prandaj, ne jemi të përqendruar në këtë objektiv.

“Epoka e re”: Siç kemi parë në disa sondazhe, Nisma do ta ketë vështirë kalimin e pragut zgjedhor. Cili është komenti juaj rreth këtyre sondazheve?
Hoti: Ne nuk ndikohemi nga sondazhet, sepse ato sondazhe janë të porositura dhe janë me tendenca. Të gjithë ata që merren me sondazhe e dinë që marzha e gabimit të sondazheve për partitë e vogla është shumë më e lartë se te partitë e mëdha. Prandaj, edhe këto sondazhe të porositura po tregojnë që Nisma ka një rritje permanente. Kështu që, zgjedhjet e 14 shkurtit do të tregojnë se ato sondazhe janë të gabueshme dhe ne nuk ndikohemi nga to. Ne jemi të fokusuar në synimin tonë i cili përfaqëson vlerat më të mundshme. Nisma ka projektim më të mirë të mundshëm në këto zgjedhje, prandaj jemi të bindur që ky projekt do të gjejë një mbështetje të madhe te qytetarët e Kosovës. Ne do t’i kalojmë të gjitha këto kriza të cilat po përpiqen të na i imponojnë dhe improvizojnë disa eksponentë të ndryshëm politikë.

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet tuaja nga këto zgjedhje?
Hoti: Natyrisht se ne fare nuk do ta kemi problem kalimin e pragut zgjedhor. Sipas të dhënave tona që kemi nga terreni dhe analizës onë që kemi bërë, ne do të kemi në Kuvendin e Kosovës më shumë se gjashtë deputetë. Pra, ne nuk jemi fare të ndikuar se çfarë po raportohet. I kisha lutur edhe mediat që të bëjnë raportime reale të situatës në terren dhe jo të bien pre e propagandave të partive të ndryshme. Parullat me bazë bolshkevike duhet të kemi kujdes dhe t’i refuzojmë, sepse ato po paraqesin frikë dhe autoritarizëm në vend.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në njërën nga marketet në Kosovë, në mesin e pijeve…