Nitaj: Arrestimi i deputetëve, shenjë e diktaturës

27 shtator 2018 | 18:27

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka reaguar ndaj arrestimit të deputetëve të Milaim Zeka dhe Shkumbin Demaliaj, duke thënë se arrestimi i tyre është shenjë e diktaturës.

“Dy deputetë të Kuvendit të Kosovës, Shkumbin Demaliaj dhe Milaim Zeka, arrestohen vetëm për shkak të fjalëve që i kanë thënë në televizion. Unë personalisht kam vërejtjet e mia për gjuhën që ata e kanë përdorur, por a mund të cilësohen kanosje dhe kërcënim vetëm qëndrimet e tyre publike, sado të pamatura qofshin ato?! Vlerësoj se arrestimi i tyre ka qenë krejtësisht i panevojshëm sepse ata nuk kanë bërë as edhe një veprim të vetëm që mund të cilësohej kërcënim. Qysh kur prokuroria e shtetit i paska rregulluar krejt punët e veta, saqë paskan ardhë në radhë të arrestohen deputetët, vetëm për aq sa flasin në studio televizive!!!”, ka shkruar Nitaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka kërkuar lirimin e deputetëve Demaliaj e Zeka si dhe ka kërkuar sqarime nga Prokurori i Shtetit.

“Nuk janë arrestuar kërcënuesit e denoncuar, nga viktimat që më pas janë vrarë, e tash po arrestohen deputetë pse e teprojnë me fjale?! Këto janë shenja të diktaturës dhe jo të drejtësisë! Deputetët Demalijaj e Zeka duhet të lirohen menjëherë dhe Prokurori i Shtetit duhet të japë sqarime! Nuk mbyllen deputetët për një fjalë goje. A keni dëgjuar të ketë ndodhur diçka e tillë në botë, përpos në diktaturë, apo ju jeni të parët që e keni zbuluar!”, ka deklaruar Nitaj.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në orën 21:00 zhvillohet ndeshja në mes Empolit dhe Milanit.…