Njazi Thaçi: KEK-u nuk është shkaktari kryesor i ndotjes së ajrit

14 nëntor 2018 | 16:53

Drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Njazi Thaçi, ka takuar të mërkurën anëtarët e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, të cilët së bashku me kryetarin e Obiliqit, Xhafer Gashi, kanë vizituar Termocentralet e KEK-ut.

Thaçi ua ka sqaruar deputetëve se është spekulim i madh kur thuhet se KEK-u është shkaktari kryesor i ndotjes së ajrit.

“Biseduam për shumë çështje dhe i ofruam informacione për çdo pyetje të deputetëve dhe me theks të veçantë i sqaruam se KEK-u si gjiganti më i madh energjetik në rajon dhe vlera më e rëndësishme e shtetit nuk mund ta mohojmë se shkakton ndotje, por është spekulim i madh kur thuhet se është shkaktari kryesor i ndotjes së ajrit. KEK-u nuk hyn në mesin e ndotësve me të mëdhenjtë dhe nuk duhet të paragjykohet si i tillë, por duhet të identifikohen shkaktarët e tjerë qe në sezonin e dimrit aktivizojnë ngrohjen me thëngjill dhe lëndë të tjera të djegës në mënyrë të pakontrolluar”, ka shkruar Thaçi në profilin e vet në “Facebook”.

Ai ka informuar deputetët se KEK-u në dhjetëvjeçarin e fundit ka mbyllur ciklin e investimeve të mëdha në përmirësimin e ambientit duke investuar 57 milionë euro.

“Kemi larguar tonelata mbetje të hirit dhe materie të tjera të rrezikshme të grumbulluara shekuj më radhë. Kemi mbuluar dhe kthyer në gjelbërim qindra hektarë tokë të degraduar. E kemi eliminuar njërin nga ndotësit permanent që ka qenë bartja në sheriat të hapur të hirit duke e kthyer në transportues të mbyllur dhe që shkaktojnë zero ndotje në hapësirë. Kemi investuar në elektro filtrat e ‘Kosovës A’ dhe e kemi sjellë në parametrat e lejuar të Bashkimit Evropian”, ka vlerësuar ai, duke shtuar se tri vitet e ardhshme me donacion të BE-së do të investohen edhe 79 milionë euro të tjera në komponenten ambientale në Termocentralet e ‘Kosovës B’ ku parashihen ndërrimi i elektro filterave sipas standardeve evropiane dhe NOx. Pra, KEK-u nuk është ai qe flitet as kur paragjykohet, por është pasuria më e madhe e Kosovës dhe shtylla kryesore ekonomike për të cilën është punuar shumë dhe po vazhdojmë të punojmë për t’i sjellë energji elektrike këtij vendi me koston me të lirë të mundshme”, është drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për kthimin e ndërmarrjeve shoqërore…