NJË ÇEREK SHEKULLI PA XHEMAIL MUSTAFËN, NJERIUN E URTË
(Fjala ime në Akademinë Përkujtimore të LDK-së për Xhemail Mustafën në 25-vjetorin e vrasjes së tij. Prishtinë, 24 nëntor 2025)
Muhamet Hamiti
Intelektualin Xhemail Mustafa (1953 – 2000) e kam njohur shumë vite para se të nisja të punoja me të në Qendrën për Informim të Kosovës (QIK) në vjeshtën e vitit 1991. Ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) më 1989, pastaj anëtar i Kryesisë së saj nga viti 1991, ai ishte bashkëpunëtor i Ibrahim Rugovës, kryetarit të LDK-së dhe të Kosovës, që i priu lëvizjes për liri, pavarësi dhe demokraci të Kosovës. Të dytë njerëz të letrave. Xhemën, siç i kemi thënë ne miqtë e tij, e kisha njohur si gazetar letrar. Shkruante në gazetën “Rilindja” recensione për libra, shkrime për letërsi, deri kur gazeta jonë e përditshme u mbyll nga okupatori serb, në korrik të vitit 1990. Si vetë Ibrahim Rugova, kritiku e teoricieni i shquar letrar, që hyri në terrenin e politikës dhe u bë prijës me besim popullor në kohë të vështira, edhe Xhemail Mustafa, që u bë zëdhënësi i tij dhe i kauzës sonë, shkoi kësaj rruge motivueshëm, pandalshëm, deri në vdekjen e tij. Shkruante dhe fliste nyjëtueshëm, qartë, me kulturë dhe etikë profesionale. Vazhdoi të shkruante për letërsi dhe kulturë gjatë gjithë viteve 90-të, deri në frymën e fundit më 23 nëntor 2000, kur ia prenë jetën ata që s’e deshën fjalën e tij të bukur dhe të vërtetë, as projektin e Kosovës demokratike dhe të pavarur që po bëhej realitet. Me atentat, në përpjekjen e dytë kriminale, ishte vrarë edhe kolegu e miku i tij e yni, Enver Maloku, shefi i QIK-ut, në janar të vitit 1999. Me sulme mbi jetën dhe veprën e tij ishte përballur edhe Presidenti Ibrahim Rugova. Njerëz të tjerë ilustrativë të rrethit të Rugovës qenë bërë po ashtu tabelë qitjeje e kundërshtarëve të lëvizjes autentike shqiptare për Kosovën e lirë dhe të pavarur, të cilës i printe Ati Themeltar i shtetit tonë.
Kam punuar me Xhemail Mustafën gjatë gjithë viteve 90-të në QIK. Ishte njeri i dashur, i prajshëm, i ditur, i përkushtuar. Si njeri i palodhshëm në punët shtetërore, ai prej vitit 1993 e bënte njëkohësisht punën e këshilltarit dhe të zëdhënësit të Ibrahim Rugovës. Këtë detyrë, të këshilltarit dhe zëdhënësit të Presidentit Rugova, e kam bërë unë pastaj, në vitet 2002-2006, deri në frymën e fundit të prijësit tonë.
Tash, në 25-vjetorin e shkuarjes së Xhemës në amshim, flasim për jetën dhe veprën e tij. Për të gjallë botoi dy libra: “Mrekullia e shkrimit” (1998), vështrime dhe ese kritike, dhe “Një lutje për Prishtinën” (2000), me nëntitullin domethënës “78 net frikë e kurajo e shpresë”. (Të dytë janë ribotuar nga Fondacioni Ibrahim Rugova më 2012. Këto ditë botohet vepra e plotë e Xhemail Mustafës në 5 vëllime, domethanë këto që ka botuar dhe shkrime të tjera të përmbledhura, përgatitur nga Ibrahim Berisha). “Një lutje për Prishtinën” ndërtohet në formë ditari për finalen e luftës së Kosovës, të 78 ditët e ndërhyrjes së NATO-s në pranverën e vitit 1999. Xhema ka lënë dëshmi për shpresat e drojën e shqiptarëve, për situatën e rrëmujshme të asaj kohe, kur përthyhej fati i Kosovës dhe i shqiptarëve në kthesën historike për vendin e kombin. Libri i tij “Një lutje për Prishtinën” duhet të lexohet e rilexohet për ta ruajtur kujtesën për kohën kur ekzistenca jonë ishte në zgrip, por vullneti për luftën për liri, demokraci e pavarësi ishte i pacenuar: kur shqiptarët luftuan me të gjitha mjetet, edhe me armë. Libri përmbledh ndodhjet dhe meditimet e Xhemail Mustafës, që e kaloi kohën e rrezikshme në Prishtinë, sepse kishte vendosur të mos e lëshonte qytetin, por nuk ua shihte për të madhe atyre që e kishin lëshuar. “Në Prishtinë nuk mund të bëhej kurrfarë politike shqiptare nga 24 marsi dhe nuk ka pse të akuzojë askush askë pse nuk qëndroi në qytet gjatë kohës së bombardimeve [të NATO-s]”, shkruan autori (“Një lutje…”, 2000, f. 379). Libri “Një lutje për Prishtinën” – “ndër margaritarët e dokumentaristikës shqiptare”, siç e ka quajtur Ibrahim Rugova – është kryevepra e Xhemail Mustafës që e dëfton një ekzistencë personale dhe nacionale në zgrip, që mrekullisht triumfoi më 12 qershor 1999. Kosova doli e lirë, në kujdestarinë e OKB-së dhe të NATO-s, për t’u shpallur e pavarur më 17 shkurt 2008. Xhema nuk e përjetoi këtë të mbramen, por kishte punuar dhe besuar shumë se kjo do të ndodhte. Ishte një profeci që do të përmbushej.
Jemi parë dhe kemi punuar bashkë me Xhemail Mustafën përditë deri mbasditen e 24 marsit të 99-tës. Lajmi i mbramë i QIK-ut atë ditë ishte deklarata e Xhemail Mustafës, zëdhënësit të Presidentit Rugova, që në emër të tij përsëriste thirrjen për ndërhyrjen e NATO-s ndaj Serbisë. Ndërhyrja 78-ditëshe e NATO-s nisi pak mbas orës 20:00 atë mbrëmje. Unë për vete kam folur me Xhemail Mustafën në telefon më 25 mars 1999, por edhe ditën e katërt të bombardimeve, siç e kujton në libër edhe vetë Xhema. Folëm për informatën se ndërtesa e Presidencës (selia e LDK-së dhe e Ibrahim Rugovës) qe djegur mbrëmjen e kaluar, mbas fillimit të ndërhyrjes së NATO-s. Ishte vandalizuar dhe djegur prej njerëzve të regjimit serb, sigurisht. Përbri Presidencës ishte ndërtesa e QIK-ut që atë natë kishte shpëtuar, por ishte dëmtuar keq në ditët në vijim. Po atë natë, më 24 mars, ishte sulmuar prej serbëve edhe godina e Zyrës Amerikane në Prishtinë. Me Xhemën jam takuar pastaj më 13 qershor në Prishtinë. Po ashtu me mikun e kolegun tonë të përbashkët, Skender Hysenin, që si Xhema, kishte qëndruar gjithë kohën në Prishtinë dhe kishte kaluar kohë të vështira.
Me Xhemail Mustafën jam takuar shpesh. Flisnim për letërsi dhe për politikë edhe pas çlirimit, si në vitet 90-të. Ai vazhdonte të shkruante për të dyjat, me të njëjtën kulturë. Herën e mbramë, dy-tre ditë para vrasjes së tij, jemi takuar në mbrëmje për muhabet në një kafene afër banesës së tij në Dardani të Prishtinës. Nuk jepte shenja shqetësimi për veten.
Si sot, para një çerek shekulli, më 23 nëntor 2000, Xhemail Mustafën e vranë para shtëpisë së tij në Prishtinë, në hyrje të banesës së vet. E vranë ata që nuk e duruan intelektin, kulturën e urtë politike, njeriun me integritet moral dhe atdhetar. Të gjalla i kam kujtimet dhe dhembjen për Xhemën, që u vra në liri, pak ditë pas fitores së thellë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e para lokale në Kosovën e pasluftës, që u mbajtën më 28 tetor 2000. Kjo vrasje e rëndë ka mbetur ende e pazbuluar. Vrasja e Xhemës ka ndodhur në një atmosferë intolerance të përhapur, shoqërore, politike dhe mediatike, në Kosovën e sapoçliruar. Mëria e dikujt u derdh mbi trupin dhe shpirtin e Xhemail Mustafës. E vranë “kriminelët dhe profiterët”, ka thënë Presidenti Ibrahim Rugova në njëvjetorin e vrasjes së bashkëpunëtorit të tij, Xhemail Mustafës, të cilin e vlerësoi si intelektual trim që punoi për shtetin. Më 23 dhjetor 2004, Presidenti Rugova e ka dekoruar Xhemail Mustafën me “Medaljen e Artë të Pavarësisë”. Presidentja Atifete Jahjaga e ka dekoruar me urdhërin “Hero i Kosovës” më 2016.
E kujtojmë me dhembje Xhemën e urtë. Lutja për shpirtin e tij është lutje për Prishtinën dhe për atdheun tonë.



