Një delegacion nga Austria viziton komunën e Rahovecit

28 shtator 2022 | 13:19

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovës, Christoph Weidinger, kryetarin e Kuvendit të Austrisë së Ulët, Karl Wilfing, nënkryetarin Karl Moser dhe bashkëpunëtorët e tyre që ishin pjesë e këtij delegacioni.

Ambasadorit Weidinger dhe bashkëpunëtorëve të tij, kryetari Latifi u ka uruar mirëseardhje si dhe i ka falënderuar për mbështetjen që Austria i ka dhënë në vazhdimësi Kosovës.

“Gjithashtu, i njoftova për aktivitetet dhe planet e komunës së Rahovecit dhe shpreha gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë. Gjatë takimit bashkëbiseduam edhe për vlerat kulturore e turistike që ofron komuna jonë dhe për potencialet tona zhvillimore. Me theks të veçantë, bashkëbiseduam për mundësitë e vendosjes së urave të bashkëpunimit në të gjitha fushat, për të promovuar dhe shkëmbyer prodhimet tona bujqësore, në veçanti prodhimet e rrushit, verës, pemëve e perimeve”, ka bërë me dije Latifi.

Më pas kryetari Latifi dhe delegacioni nga Austria, vizituan verarinë “Bodrumi i Vjetër” me pronar Ruzhdi Haxhijaha, një shembull i mirë për ndërmarrësi dhe zhvillim biznesi në Rahovec dhe Kosovë.

Në fund të vizitës, kryetari Latifi ka falënderuar ambasadorin Weidinger dhe bashkëpunëtorët e tij dhe u pajtuan për gjetjen e mundësive të reja të bashkëpunimit, për të fuqizuar tutje marrëdhëniet ndërmjet Rahovecit dhe Landit të Austrisë së Ulët (Landtag von Niederösterreich).

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Mbrojtësi Gerard Pique mund ta largohet nga “Camp Nou” në…