Një ditë para nisjes së gjykimit të liderëve të UÇK-së, Specialja del me njoftim

02 prill 2023 | 12:28

Gjykata Speciale kanë lëshuar një komunikatë për media lidhur me procesin gjyqësor që do të fillojë nga nesër (e hënë) ndaj liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në këtë komunikatë është thënë se janë planifikuar që deklaratat hyrëse për rastin në fjalë të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill, duke filluar prej orës 9:00 të mëngjesit.

“Duke filluar më 3 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të bëjë deklaratën hyrëse dhe për këtë qëllim i janë caktuar më së shumti 5 orë. Më tej, është planifikuar që mbrojtësi i viktimave do të bëjë deklaratën e tij hyrëse që do të zgjasë më së shumti 45 minuta. Pas mbrojtësit të viktimave, do të bëjnë deklarata hyrëse secili prej katër ekipeve të Mbrojtjes. Është planifikuar që këto deklarata të bëhen më 4 prill”, ka njoftuar Specialja.

Pos tjerash në këtë komunikatë është thënë se: “140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Personat të cilët demonstrojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të paraqitur në aktakuzën e konfirmuar paraqesin kërkesë për të marrë pjesë në procesin gjyqësor në DhSK. Këtu përfshihen persona që janë dëmtuar drejtpërsëdrejti dhe persona të cilët kanë pësuar dëm si pasojë e lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar”.

Trupi gjykues i Speciales ka bërë me dije se paraqitja e provave në gjykim, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve nga ZPS-ja, do të fillojë më 11 prill 2023.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mijëra qytetarë nga të gjitha qytetet kanë marrë rrugë drejt…