Një dritare e rëndësishme e prezantimit të një pjese të historisë sonë muzikore edhe për opinionin ndërkombëtar

11 dhjetor 2021 | 01:01

Nga Valton Beqiri, kompozitor

Kur marrim përsipër një botim të tillë, retrospektiv, për një kohë të rëndësishme, ndihemi përgjegjës për këngët e përzgjedhura, duke veçuar karakteristikat e tyre melodike, harmonike, ritmike, poetike, si dhe balancën stilistike në mënyrë që të fitojmë përfaqësimin e zhanreve të ndryshme muzikore, duke u nisur nga folklori, muzika popullore, kënga e lehtë, apo gërshetimi i tyre. Ky kompleksitet faktorësh është më së i natyrshëm kur kemi parasysh së në këtë përmbledhje përfshihen këngë që nga viti 1983 e deri në ditën e botimit të këtij libri.

Jam i bindur se përzgjedhja e këngëve (nga opusi i gjerë krijues i Ilir Shaqirit, rreth gjysma e tyre në këtë botim) na e mundëson pasqyrimin real të personalitetit krijues të këtij autori. Që nga fillet e para të krijimtarisë së tij, njohuria e akumuluar muzikore i ka shërbyer si terren pjellor për zhvillim dhe formësimin e tij të vazhdueshëm muzikor. Gjatë rrugëtimit krijues, gjithnjë na paraqiten frymëzime dhe kërkesa të reja të cilat absorbohen me përkushtim dhe dashuri të madhe ndaj muzikës. Kështu arrijmë që të depërtojmë në shumë segmente kreative dhe mund të konstatojmë se: praktika dhe përvoja e fituar gjatë procesit krijues ka qenë faktori më i rëndësishëm në zhvillimin dhe profilizimin e shkrimit muzikor. Ilir Shaqiri, pa komplekse gjen lirinë e shprehjes muzikore. Idetë i tij muzikore takohen në kontekste të ndryshme kohore, në një krijimtari që ndërlidhet gjithmonë me temat aktuale historike dhe shoqërore, duke komunikuar natyrshëm dhe në mënyrë krejt spontane me audiencën.

Nga aspekti melodik, këngët janë kryesisht monodike me shoqërim, me një strukturë të qartë formale, të këndueshme dhe njëkohësisht lehtë të pranueshme për audiencën, gjithmonë duke ruajtur një raport racional në mes të tekstit dhe melodisë.

Mund të veçojmë këngët ku inkorporohet edhe grupi vokal (kryesisht grupi i meshkujve), të cilit i jepet rol i rëndësishëm, pothuajse i barabartë me solistin, qoftë me përsëritjen e frazave (si fenomen më i shpeshtë) po ashtu edhe fraza të veçanta melodike. Me rastin e këndimit të përbashkët solist-grup, apo edhe me ndërhyrjen e solistit para përfundimit të frazave të interpretuara nga grupi vokal, fitojmë një shtresim polifonik dhe njëkohësisht një tension më të madh dramatik.

Pavarësisht së këngët janë shkruar në shkallët dur dhe mol (si dhe me bazë në dominantën e molit harmonik), në shumicën e tyre dominon modi frigjik i cili në kombinim me një strukturë të etabluar të shkrimit muzikor është shndërruar në mjet identifikimi të stilit krijues të Ilir Shaqirit.

Ashtu, si edhe në elementet e lartpërmendura edhe në aspektin ritmik vërejmë një përfshirje të të gjitha masave, duke filluar nga ato standarde si: 2/4, 3/4, 4/4 dhe 6/8, deri te masat komplekse si: 5/8, 7/8, 9/8 dhe 12/8. Pavarësisht dominimit të masave 2/4 dhe 4/4, si masa bazë, duhet theksuar së në krijimtarinë e tij shpesh hasim në ndryshimin e tyre, kryesisht si rrjedhojë e përshtatjes së tekstit, theksit të fjalës me theksin muzikor. Raporti tekst-muzikë, dëshmon jo vetëm afinitetin muzikor, por edhe atë letrar të autorit, teksa duket qartë përkushtimi dhe dashuria e tij ndaj fjalës së bukur, ndaj poezisë, ndaj gjuhës shqipe në përgjithësi. Po ashtu, këto freskime ritmike na shfaqen edhe si rrjedhojë e metodologjisë  krijuese, gjegjësisht përshtatjes së melodisë me vargjet, e jo e kundërta.

Përveç melodisë dhe tekstit në këtë botim, krijimeve u janë përshkruar edhe simbolet harmonike të cilat mundësojnë interpretimin e këngëve me shoqërim nga ndonjë instrument muzikor shumëzërësh. Simbolet harmonike (akordet)  janë të bazuara kryesisht në orkestrimet e këngëve të realizuara ndër vite. Disa nga to të realizuara në vitet e 80-ta me orkestër folklorike nuk kanë pasur përcjellje nga ndonjë instrumenti harmonik (kitarë apo laut), prandaj funksionet harmonike janë vendosur nga autori i librit Korab Shaqiri, me qëllim të standardizimit të këngëve të prezantuara, njëkohësisht edhe përmbushjes së strukturës harmonike të melodive.

Këngët e përfshira në këtë përmbledhje: 27 këngë me Ansamblin “Drenica”, 18 këngë me orkestrën SHKA “Ramiz Sadiku” dhe “Korona”; 155 këngë të programuara në studiot “Korona” me Valton Beqirin; në studion “Unique Sound Studio” me Xhevdet Gashin; në studion “Polifonia” me Naim Krasniqin; në studion e Shpëtim Saraçit dhe Edmond Zhulalit në Tiranë, si dhe në studion “Barok” me Korab Shaqirin, janë dëshmi e një aktiviteti të gjerë kulturor në hapësirën gjeografike shqiptare, në kushte krejt të pafavorshme për kulturën muzikore në Kosovë, në një kohë mbijetese për ne.

Si rezultat i elementeve të lartë cekura, këto këngë nuk e kanë humbur aktualitetin edhe pas një periudhe të gjatë kohore. Në të njëjtën kohë, jetëgjatësia e tyre dëshmon vlerën e tyre reale dhe padyshim një numër i madh i këtyre këngëve do të vazhdojnë të mbesin aktuale edhe përmes këtij botimi.

Vlera e këtij botimi (e kësaj përmbledhje letrare dhe muzikore) përkon jo vetëm me individin, por edhe me një pjesë të rëndësishme të historisë sonë të re muzikore.

Këtë botim duhet konsideruar si një pasuri dhe pasqyrë reale e zhvillimit të një krijimtarie muzikore jo vetëm në nivelin kombëtar, por edhe si një dritare të rëndësishme të prezantimit të një pjese të historisë sonë muzikore edhe për opinionin ndërkombëtar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarët Ylli Limani dhe Ledri Vula janë të ftuarit surprizë…