Një ftesë për partitë politike për t’i rikthyer vlerat kombëtare

16 gusht 2018 | 11:24

Jakup Krasniqi

Nuk do të zgjatem shumë. Po hyj drejt e në temë. Nga viti 2000 e këtej janë kryer disa palë zgjedhje për dy nivelet e pushtetit në Kosovë. Qëllim i vetëm nga atëherë e deri me sot ka qenë pushteti. Pushteti jo për t’i qeverisur pasuritë e vendit e të kombit, por për të sunduar duke plaçkitur pasurinë publike për vete, për familjen dhe jo pak edhe për ndonjë servil pranë vetes. Për të qëndruar në pushtet, partitë që ishin në pushtet (në të dy nivelet), luftën me të gjitha mjetet e bënin për të grumbulluar sa më shumë vota. Deri te vota vinin në çdo mënyrë, vetëm jo në mënyrë të ndershme. Rruga e ndjekur deri tani nga partitë e “vjetra” politike na ka sjellë këtu ku jemi. Ecja në këtë rrugë nuk ka destinacion tjetër veç këtij që e jetuam dhe këtë fat nuk ia kisha dëshiruar asnjë lloji njerëzor. Prandaj, si domosdoshmëri imediate na imponohet të kërkojmë rrugë tjetër, një rrugë njerëzore, rrugë që na jep më shumë shpresë e besim për ndryshim. Nuk ka dyshim, çlirimi i Kosovës dhe pavarësia kanë krijuar mundësi të shumta të cilat mundësi nuk i shfrytëzuam si e sa duhet.

Për të ecur tashmë një rruge tjetër, për ta kthyer shpresën dhe besimin, na duhet një marrëveshje besa-besë (një besëlidhje!) në mes të njerëzve të politikës, besë skënderbegiane, besë për të mos mashtruar, por edhe besë për të ndryshuar për të mirën e kombit e të shtetit. Besën për t’u liruar nga lakmia për të rrëmbyer për vete atë që është e kombit dhe që i përket vetë atij, e që është pronari legjitim i pasurisë e quajtur jorastësisht pasuri kombëtare! Besën për ta kërkuar votën qytetare për të qeverisur mirë, e jo si deri më sot për të grabitur atë që nuk të takon, atë që është e huaja! Por, i gjithë problemi është a thua na ka mbetur ndonjë fije bese e njerëzve të motit, që kishin besë e trimëri njerëzish fisnikë? Nuk dyshoj, kishim njerëz fisnik e të besës, por sot ku u tretën ata, ç’u bë me ta, ku u tretën ato ideale e tradita të njerëzve të fisëm? Që e dhanë gjithçka kishin për Lirinë! Diku e diçka është gabuar shumë gjatë këtij rrugëtimi kombëtar thuaja tridhjetëvjeçar e po të kemi parasysh vitet pas ’99-s, njëzetvjeçar me një ngarendje mbase edhe absurde. Kjo rrugë gjithsesi duhet ndryshuar, por a kemi vullnet politik, intelektual e kombëtar për atë ndryshim, ndryshim që na kthen vlerat tradicionale shqiptare, vlera që i nëpërkëmbëm gjatë këtyre njëzet-tridhjetë vjetëve të fundit.

Sot e gjithë ditën na duhet një Besë për t’ia ndërprerë rrugën e krizës morale që na ka qitur jashtë binarëve të vlerave kombëtare dhe nuk jemi duke e ditur se cilat vlera duhet t’i përqafojmë e cilat t’i shqelmojmë! Tonat apo ato që na lidhin me shekujt e robërisë e skllavërisë e që na janë ngjitur si ferrë murrizi në shumë pore të jetës? Të atyre ferrave që Migjeni i quante simbole të mjerimit e të errësirës. Shkurt, gjatë këtyre tri dekadave kemi një shkëputje të madhe nga vlerat tona kombëtare shqiptare dhe sorollatemi shumë pas vlerave të huaja, që jo pak herë na i kanë imponuar armiqtë e kombit ndër shekuj. Kthimi në origjinë na është bërë domosdoshmëri. Vlerat tona kombëtare të kultivuara nga fryma luftarake skënderbegiane nuk mund të ruhen e më pak të avancohen nga mashtrues, servilë, injorantë, frikacakë e sehirxhinj të çdo ngjyre.

Mjaft e sunduan të huajt popullin e kombin tonë! Vendi dhe kombi duhet të qeverisen nga njerëzit që duan dhe dinë ta orientojnë atë në rrethanat e reja të krijuara pas shekujsh robërie. Adem Demaçi dhe Adem Legjendari na kanë mundësuar shumë që ta korrim fitoren e madhe të qershorit 1999 dhe të 17 shkurtit 2008!

Shkëputja nga mashtruesit e viteve të pas ’99-s, të luftës a të pritjes, çfarëdo qofshin, duhet të na ndajë me të gjitha rrugët e mjetet! Popullit tonë nuk i mungojnë njerëzit që dinë e duan të qeverisin mirë me vendin e shqipeve. Mashtruesit, me gjithë makineritë e vëna në shërbim të mashtrimit për sundim (përfshirë edhe mediet lehtësisht të shitura), duhet t’i dërgojmë në muzeun e vjetërsirave dhe kjo nuk arrihet dot pa vullnetin e shumicës qytetare! Aty ku duhet t’i dërgojmë çdo formë joshje financiare, mashtrimi apo kërcënimi që i zgjatë jetën gjendjes ekzistuese.

Është kohë zgjimi për sistemimin e vlerave fisnike të kombit! Kështu siç jemi katandisur, jemi larg, shumë larg vlerave të konsoliduara të kombit shqiptar! Le të nis ndryshimi, nëse jo nga politika, le ta fillojnë qytetarët, sovrani i ndryshimeve të deritashme!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, është shprehur shumë ambicioz…